Kryeministri britanik Andy Burnham do të drejtojë këtë të mërkurë një takim të komitetit të emergjencave COBR, ndërsa Britania e Madhe po përballet me valë të vazhdueshme të të nxehtit, thatësirë dhe zjarre.
Takimi vjen në një moment kur kushtet ekstreme të motit po ushtrojnë presion të madh mbi infrastrukturën, shërbimet shëndetësore, zjarrfikësit dhe sektorin bujqësor.
Britania po përgatitet për valën e pestë të të nxehtit të vitit 2026, me temperatura që në disa zona pritet të kalojnë 36 gradë Celsius. Met Office ka paralajmëruar se kjo verë pritet të jetë më e nxehta në vend që prej fillimit të regjistrimeve.
Më shumë se dy të tretat e Anglisë ndodhen tashmë në kushtet e thatësirës, pas korrikut më të thatë që prej nisjes së regjistrimeve në vitin 1836. Edhe i gjithë territori i Uellsit është në thatësirë, ndërsa mbi 27 milionë njerëz përballen me kufizime në përdorimin e ujit.
Situata është rënduar edhe nga zjarret. Vetëm gjatë muajit të kaluar, strukturat zjarrfikëse iu përgjigjën 458 zjarreve në natyrë, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë brenda një muaji.
Një nga vatrat aktive ndodhet në parkun kombëtar New Forest, në jug të Anglisë.
Qeveria britanike deklaroi se do të vazhdojë masat për mbrojtjen e komuniteteve, garantimin e furnizimit me ujë dhe mbështetjen e fermerëve. Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu ndërtimin e nëntë rezervuarëve të rinj, ndërsa rezervuari i fundit i madh në vend është ndërtuar në vitin 1992.
Opozita ka kritikuar reagimin e qeverisë. Partia e Gjelbër e cilësoi mbledhjen e COBR vetëm si “hapin e parë”, ndërsa Liberal Demokratët akuzuan ekzekutivin se po vepron shumë ngadalë.
Ekspertët britanikë të klimës kanë kërkuar masa më të forta për përshtatjen ndaj temperaturave në rritje, duke përmendur sistemet e ftohjes, menaxhimin më të mirë të ujit dhe përgatitjen ndaj përmbytjeve si disa prej prioriteteve kryesore.


