Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave dhe dyshimeve të ngritura pas njoftimit se Shqipëria është renditur në vendin e parë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98,33 pikë.
Në një postim në rrjetet sociale mbrëmjen e së martës, Rama iu drejtua kritikëve me tone të ashpra, duke i cilësuar si “urrejtës” dhe “trolla”, ndërsa këmbënguli se renditja nuk është produkt i propagandës së qeverisë, por rezultat i një metodologjie ndërkombëtare.
Reagimi i tij vjen pasi publikimi i renditjes së Shqipërisë në krye të indeksit shkaktoi diskutime dhe reagime në rrjetet sociale, ku disa përdorues vunë në dyshim domethënien dhe mënyrën e përllogaritjes së klasifikimit.
“Një shënim i nevojshëm për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave. Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash”, shkroi Rama.
Sipas kryeministrit, rezultati prej 98,33 pikësh është përcaktuar mbi bazën e një metodologjie që merr në konsideratë kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.
“Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë argumentoi se kritikat dhe komentet në rrjetet sociale nuk mund të ndryshojnë rezultatin e klasifikimit, duke e paraqitur pozicionimin e Shqipërisë si rezultat të forcimit të kapaciteteve të vendit në këtë fushë gjatë viteve të fundit.
“Tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale”, shkroi ai.
Rama ironizoi gjithashtu reagimet kundër rezultatit, duke thënë se çdo koment kritik sjell më shumë vëmendje ndaj lajmit.
“Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se pas publikimit të renditjes kishte marrë edhe urime nga miq dhe aleatë që, sipas tij, e njohin rëndësinë e indeksit, ndërsa në Shqipëri rezultati ishte shoqëruar edhe me sulme dhe kritika.
“Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç’është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan”, shkroi Rama.
Kryeministri e lidhi rezultatin me ndryshimin që, sipas tij, ka pësuar Shqipëria në fushën e sigurisë kibernetike, duke kujtuar se vetëm pak vite më parë vendi ndodhej shumë më poshtë në klasifikimet ndërkombëtare.
“Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë: Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund”, deklaroi ai.
Reagimin Rama e mbylli me një tjetër kritikë ndaj kundërshtarëve të tij, duke i akuzuar se e kanë të vështirë të pranojnë një rezultat pozitiv për vendin.
Postimi i kryeministrit pason deklaratën e tij të mëparshme, ku e cilësoi vendin e parë në NCSI si kurorëzim të investimeve dhe forcimit të sistemit shqiptar të mbrojtjes kibernetike pas sulmit të madh ndaj infrastrukturës digjitale të vendit në korrik të vitit 2022.


