Finlanda dhe Austria i janë bashkuar thirrjes së Italisë për masa ndaj Spanjës, pas hyrjes masive të emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku.
Ministrja e Brendshme e Finlandës, Mari Rantanen, deklaroi se Spanja ka dështuar në mbrojtjen e kufirit të jashtëm të zonës Shengen dhe se kjo situatë nuk mund të vazhdojë.
“Spanja ka dështuar plotësisht në mbrojtjen e kufirit të jashtëm të Zonës Shengen. Të gjitha vendet europiane duhet të mbështesin propozimin e kryeministres italiane Giorgia Meloni. Vendet që nuk përmbushin detyrimin për të mbrojtur kufirin e jashtëm nuk mund të jenë pjesë e Shengenit”, shkroi Rantanen në platformën X.
Edhe kancelari austriak Christian Stocker i cilësoi zhvillimet në Ceuta një “sinjal të qartë paralajmërues”, duke i kërkuar Madridit të përmbushë përgjegjësitë e tij për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian.
Ai paralajmëroi se Austria mund të vendosë mbyllje të përkohshme të kufijve të Shengenit nëse flukset migratore ushtrojnë presion mbi kufijtë e saj.
“Nëse situata në Spanjë zhvillohet në një mënyrë që ushtron presion mbi kufijtë tanë kombëtarë, ne do të bëjmë gjithçka për t’i mbrojtur ato, përfshirë mbylljen e përkohshme të kufijve të Shengenit, nëse është e nevojshme”, tha Stocker.
Më herët, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ishte shprehur në favor të pezullimit të Spanjës nga zona Shengen, ndërsa zëvendëskryeministri Matteo Salvini dhe kryeministrja Giorgia Meloni mbështetën të njëjtin qëndrim.
Në reagim ndaj deklaratave të zyrtarëve italianë, Ministria e Jashtme e Spanjës thirri ambasadorin italian në Madrid për sqarime.


