Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Plavë dhe Guci, ku u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe mori pjesë në manifestimin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit e cilësoi aktivitetin si një urë që forcon lidhjet e shqiptarëve me vendlindjen, ruan identitetin kombëtar dhe afron brezat.
“Alpet Shqiptare janë një pjesë e historisë së shqiptarit, e karakterit dhe e mënyrës se si kemi ditur të jetojmë në harmoni me tokën, me familjen dhe me njëri-tjetrin”, u shpreh Begaj.
Presidenti theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare, duke vlerësuar kontributin e komunitetit të Plavës dhe Gucisë në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e Malit të Zi.
Gjatë aktivitetit, Begaj u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, në vlerësim të kontributit të tij në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që jetojnë.


