Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikonfirmuar mbështetjen e Uashingtonit për sovranitetin e Marokut mbi Saharanë Perëndimore, duke bërë thirrje për përfundimin e konfliktit.
Në një mesazh drejtuar Mbretit Mohammed VI me rastin e 27-vjetorit të Festës së Fronit, Trump deklaroi se SHBA do të vazhdojë të nxisë përparimin drejt një zgjidhjeje.
“Konflikti në Saharanë Perëndimore duhet të marrë fund tani dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të nxisin përparimin drejt këtij qëllimi”, u shpreh ai.
Trump theksoi se SHBA njeh sovranitetin e Marokut mbi Saharanë Perëndimore dhe mbështet planin maroken të autonomisë si bazën e vetme për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Shtetet e Bashkuara janë të qarta: ne e njohim sovranitetin e Marokut mbi Saharanë Perëndimore dhe mbështesim propozimin serioz, të besueshëm dhe realist të Marokut për autonomi. Çdo rrugë tjetër zgjat status quo-në dhe është e papranueshme”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu rolin e Mbretit Mohammed VI, duke e cilësuar udhëheqjen e tij një faktor stabiliteti dhe duke përgëzuar angazhimin e Marokut për paqen, luftën kundër ekstremizmit dhe sigurinë rajonale.
Trump riafirmoi edhe mbështetjen për Marrëveshjet e Abrahamit dhe njoftoi zgjerimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Marokut, përfshirë për stabilitetin në rajonin e Sahelit.
Në planin ekonomik, ai tha se administrata amerikane do të punojë për zhvillimin ekonomik dhe social me Marokun, përfshirë territorin e Saharasë Perëndimore.
Sipas Trump, teknologjia dhe inovacioni amerikan do të vazhdojnë të mbështesin Mbretërinë në sektorë strategjikë si energjia, inteligjenca artificiale, mineralet kritike dhe mbrojtja.


