Malaj: Ekonomia shqiptare u rrit me 3.7%, investimet e huaja dhe kreditimi në nivele rekord

28 Jul 2026 15:35
Shpërndaje:

Ekonomia shqiptare ka vijuar të shfaqë ritme të qëndrueshme rritjeje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa treguesit fiskalë dhe makroekonomikë konfirmojnë një ecuri pozitive të aktivitetit ekonomik.

Kështu deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj, në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, ku u prezantuan rezultatet e administrimit fiskal për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Sipas Malajt, gjatë kësaj periudhe janë rritur si të ardhurat, ashtu edhe shpenzimet buxhetore krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa ekonomia është mbështetur nga zgjerimi i punësimit dhe aktivitetit të bizneseve.

Reklamë Ola

“Ekonomia shqiptare në tremujorin e parë të vitit 2026 u rrit me 3.7%, një ritëm më i lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e Bashkimit Evropian”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit mbeten optimiste, duke parashikuar një rritje ekonomike prej 4% deri në fund të vitit 2026.

Reklamë InterMedika

“Deri në fund të vitit 2026 parashikojmë që rritja ekonomike të arrijë në 4%, ku kontributin kryesor do ta japin sektori i shërbimeve, si dhe investimet private dhe publike”, u shpreh Malaj.

Ministri bëri të ditur se objektivi i qeverisë është që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) të arrijë në rreth 29 miliardë euro deri në fund të këtij viti, ndërsa synimi i mandatit është që ekonomia shqiptare të shkojë në 35 miliardë euro.

Sipas tij, investimet e huaja direkte u rritën me 11.8% në tremujorin e parë të vitit, duke arritur në 404 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investitorët kryesorë në ekonominë shqiptare mbeten Austria, Italia, Holanda, Turqia dhe Kosova.

Malaj nënvizoi gjithashtu se kreditimi i ekonomisë është zgjeruar me mbi 1 miliard euro gjatë pesëmujorit të parë të vitit, duke e çuar stokun e kredive në nivelin rekord prej 10.2 miliardë eurosh në fund të muajit maj.

Sipas ministrit, edhe aktiviteti i bizneseve ka shënuar rritje. Xhiroja e deklaruar nga bizneset u rrit me 7% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, ose me rreth 1.3 miliardë euro më shumë se një vit më parë.

Në fund të muajit qershor, numri i bizneseve të regjistruara pranë Administratës Tatimore arriti në 148 270, duke shënuar një rritje prej mbi 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.