Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetit Agron Shehaj nga punimet e Kuvendit për 60 ditë.
Kërkesa vjen pas incidentit të ndodhur gjatë shqyrtimit të marrëveshjes për huanë ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ku PS pretendon se kreu i Partisë Mundësia mori me forcë një dokument konfidencial nga ambientet e Kuvendit.
Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, socialistët kërkojnë përjashtimin e Shehajt nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve për 60 ditë, si dhe referimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Sipas PS-së, deputetët ishin informuar paraprakisht se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit.
Në kërkesë thuhet se Agron Shehaj ka insistuar ta merrte me vete kopjen fizike të dokumentit, por është kundërshtuar nga stafi. Më pas, sipas pretendimeve të PS-së, ai e ka marrë materialin me forcë dhe është larguar nga ambientet e Kuvendit.
Socialistët pretendojnë gjithashtu se një këshilltare e Kuvendit, e cila tentoi të rimerrte dokumentin, është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive, ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në kërkesën e depozituar nga Partia Socialiste.
Sekretariati i Etikës pritet të shqyrtojë nesër kërkesën dhe të vendosë nëse do të propozojë marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit të opozitës.


