×
Monday, May 25, 2026

Netanyahu paralajmëron intensifikim të sulmeve ndaj Hezbollahut: “Do ta shtypim”

May 25, 2026


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se vendi i tij është në luftë me Hezbollahun, duke paralajmëruar një përshkallëzim të mëtejshëm të operacioneve ushtarake në Liban.

Në një video të publikuar në kanalin e tij zyrtar në Telegram, Netanyahu theksoi se ofensiva nuk do të ndalet, por do të përshpejtohet në ditët në vijim.

“Ne nuk do të ndalemi, përkundrazi kërkova të përshpejtojmë. Do t’i intensifikojmë sulmet dhe do ta shtypim Hezbollahun”, u shpreh ai.

Menjëherë pas deklaratës, ushtria izraelite konfirmoi se ka ndërmarrë sulme të reja ndaj objektivave të Hezbollahut, duke goditur infrastrukturë të këtij grupi në Lugina Bekaa, si dhe në zona të tjera strategjike brenda territorit libanez.

Këto zhvillime ndodhin në një moment kritik për Lindjen e Mesme, ku tensionet mbeten të larta dhe përpjekjet diplomatike ndërkombëtare janë intensifikuar për të shmangur një konflikt më të gjerë rajonal.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani vijojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje që synon uljen e përshkallëzimit dhe ndalimin e armiqësive në rajon.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi i Hezbollahut dhe aktorëve të tjerë rajonalë, në një kohë kur çdo zhvillim i ri mund të ndikojë ndjeshëm në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.




Comments are closed.