×
Monday, May 25, 2026

Dendias në Tiranë: Fokus te bashkëpunimi në mbrojtje dhe marrëdhëniet Shqipëri–Greqi

May 25, 2026


Në kuadër të një vizite zyrtare në Tiranë, ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin zhvilloi një takim ku u diskutua situata gjeopolitike në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Gjatë këtij takimi, Dendias u ndal edhe te çështje me karakter historik dhe identitar, duke përmendur Himarën si vend me të cilin, sipas tij, lidhet origjina e tij. Ai theksoi se minoriteti etnik grek në Shqipëri përbën një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe popujve.

“U prita nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të vizitës sime në Tiranë. Analizuam situatën gjeopolitike në rajonin tonë më të gjerë. Pata mundësinë të flas për Himarën, qytetin nga i cili besoj se vij me origjinë, dhe përsërita qëndrimin tim se pakica etnike greke është një urë miqësie midis dy shteteve dhe dy popujve. Pata kënaqësinë e veçantë të bëja një tur në kopshtin e rezidencës kryeministrore të Shqipërisë, së bashku me kryeministrin, Edi Rama, ku më priti për një vakt”, u shpreh Dendias në platformën X.

Vizita u shoqërua edhe me një pritje zyrtare në Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, ku ministri grek zhvilloi një takim me homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi. Në fokus të bisedimeve ishin forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të NATO, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Sipas Dendias, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve, i bazuar në respektimin e së Drejtës Ndërkombëtare dhe të drejtave të minoritetit etnik grek, mbetet një element kyç për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Pritje zyrtare dhe takim me homologun tim shqiptar, Ermal Nufi në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në Tiranë. Në fokus të takimit ishin përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare. Bashkëpunimi në mbrojtje midis Greqisë dhe Shqipërisë, bazuar në angazhimin ndaj parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare dhe respektimin e të drejtave të pakicës etnike greke, është një shtyllë paqeje, sigurie dhe progresi për të gjithë rajonin”, deklaroi ai.

Një tjetër çështje konkrete që u diskutua gjatë takimit ishte edhe funksionimi i Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake, për të cilin palët ranë dakord që të mblidhet në mënyrë të menjëhershme.

“Gjatë takimit me homologun tim shqiptar Ermal Nufi, ramë dakord që të mblidhet menjëherë Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve për Varrezat Ushtarake. Greqia do t’i respektojë gjithmonë ata që sakrifikuan veten për vendin tonë”, u shpreh Dendias.

Vizita e ministrit grek në Tiranë vlerësohet si pjesë e përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve, në një kohë kur rajoni përballet me sfida të reja në aspektin e sigurisë dhe zhvillimeve gjeopolitike.




Comments are closed.