Kryeministri i Hungarisë: BE të pranojë fillimisht Ballkanin Perëndimor, jo Ukrainën
Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të japë përparësi pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara Ukrainës, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikon të humbasë besueshmërinë në rajon.
Në një intervistë për agjencinë austriake APA, të raportuar nga N1 Serbia, Magyar theksoi se vendet e Ballkanit kanë vite që presin integrimin, ndërkohë që kanë bërë reforma të thella dhe kanë përmbushur një sërë kushtesh të vendosura nga BE.
“Sa i përket anëtarësimit në BE, dua t’i inkurajoj vendet evropiane që, përpara se të tjerëve t’u premtohet ndonjë status, së pari t’i lejojnë në BE ata kandidatë që janë përgatitur për shumë vite, që kanë bërë shumë sakrifica dhe kanë marrë shumë premtime”, u shpreh ai.
Magyar theksoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është thelbësor jo vetëm për rajonin, por për gjithë Evropën, duke shtuar se përmbushja e premtimeve të mëparshme është kyçe për ruajtjen e besimit ndaj Bashkimit Evropian.
“Ne e dimë se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit nuk është vetëm në interes të rajonit, por edhe të Evropës. Prandaj duhet të përmbushen premtimet e dhëna përpara se të bëhen angazhime të reja”, tha ai.
Kryeministri hungarez u ndal edhe te çështja e Ukrainës dhe mundësia e anëtarësimit të saj në BE, duke theksuar se ky proces është ende shumë larg dhe nuk mund të ndodhë në një afat të afërt.
Ai bëri të ditur se Hungaria mund të organizojë një referendum për këtë çështje, por vetëm pasi të përfundojë lufta me Rusinë dhe nëse Ukraina vazhdon të kërkojë anëtarësimin.
“Jemi shumë larg kësaj. Ukraina nuk do t’i bashkohet BE-së nesër apo pasnesër, por ndoshta pas shumë vitesh. Nuk ka dy standarde për anëtarësimin”, theksoi Magyar.
Ai shtoi se çdo vend kandidat duhet të kalojë të njëjtat procedura dhe të përmbushë të njëjtat kritere, duke përjashtuar çdo trajtim të privilegjuar.
Magyar rikujtoi gjithashtu se referendume për pranimin e vendeve të reja në BE janë mbajtur edhe më parë në disa shtete anëtare, duke e konsideruar këtë një të drejtë legjitime të vendeve sovrane.
“Çdo vend ka të drejtë të vendosë nëse vendimet e tilla duhet të merren nga qeveria apo nga qytetarët përmes referendumit”, përfundoi ai.
Këto deklarata vijnë në një moment të ndjeshëm për politikën e zgjerimit të BE-së, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor presin prej vitesh avancimin drejt anëtarësimit, ndërkohë që zhvillimet gjeopolitike kanë rritur presionin për integrimin e Ukrainës.







