Koçiu: Duhet të jemi të bashkuar për klimën – Shqipëria ndër vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike
Shqipëria konsiderohet një nga vendet më të ekspozuara ndaj ndryshimeve klimatike në Evropë, ndërsa “Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036” parashikon nevojën për rreth 9.8 miliardë dollarë investime për të përballuar rreziqet në rritje.
Plani synon ndërtimin e sistemeve kulluese, argjinaturave dhe rezervuarëve, si dhe përdorimin e teknologjive moderne për mbrojtjen ndaj ngjarjeve ekstreme, përfshirë përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Një fokus i veçantë i kushtohet edhe ngritjes së sistemeve të avancuara të informacionit dhe paralajmërimit të hershëm.
Gjatë konferencës rajonale “Të bashkuar për klimën”, të zhvilluar në Tiranë, ambasadorja e Zvicër në Shqipëri, Ruth Huber, theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të ngjashme, por reagojnë ndryshe ndaj tyre.
Sipas saj, Shqipëri renditet ndër vendet më të prekura nga fenomenet ekstreme klimatike, si valët e të nxehtit dhe përmbytjet që kanë goditur vendin gjatë dy dekadave të fundit. Ajo nënvizoi se kriza klimatike nuk është më një rrezik i largët, por një realitet që po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Edhe Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka nevojë për rreth 6 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme për t’u mbrojtur nga fatkeqësitë natyrore.
Raporti thekson se investimet në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike janë shumë efektive ekonomikisht: çdo 1 euro e investuar mund të gjenerojë deri në 10 euro përfitime. Në të kundërt, mungesa e veprimeve mund t’i kushtojë vendit deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Këto të dhëna tregojnë qartë urgjencën për masa konkrete dhe investime strategjike, në mënyrë që vendi të përballojë sfidat gjithnjë në rritje që vijnë nga ndryshimet klimatike.







