Mes fotos dhe veprimit: Kur debati humb thelbin
Debati i fundit i nxitur nga reagimi i deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, mbi disa foto të publikuara gjatë një aksioni pastrimi, më duket se e humb thelbin e çështjes. Në vend që vëmendja të përqendrohej tek problematika reale, mbetjet dhe nevoja për ndërhyrje konkrete, diskutimi është zhvendosur te fakti nëse u bënë apo jo foto më shumë se ç’duhet.

Sot, në zonën e Golemit në Kavajë, përfaqësues të institucioneve dhe politikës dolën në terren për të pastruar mbetjet e grumbulluara prej kohësh. Është e vërtetë që aksione të tilla shpesh shoqërohen me prani mediatike dhe publikime në rrjetet sociale.
Por kjo nuk duhet parë domosdoshmërisht si diçka negative. Në një shoqëri ku ndërgjegjësimi për mjedisin është ende një nevojë, çdo mesazh publik, përfshirë edhe fotot mund të shërbejë.
Nga ana tjetër, nuk mund të anashkalohet përgjegjësia institucionale. Pastrimi i territorit nuk është thjesht një akt simbolik i një dite, por një detyrim i vazhdueshëm i pushtetit vendor, konkretisht i Bashkia Kavajë, duke iu referuar kësaj zone, dhe i çdo bashkie tjetër. Nëse në atë zonë ka pasur grumbullime mbetjesh, atëherë lind pyetja legjitime: Pse nuk është ndërhyrë më herët dhe kush mban përgjegjësi për këtë situatë?
Kritika politike është e domosdoshme në një demokraci, por ajo duhet të synojë zgjidhjen e problemeve dhe jo të mbetet në sipërfaqe. Në vend që debati të fokusohet te numri i fotografëve apo te imazhi, do të ishte më produktive të kërkohej llogari për menaxhimin e mbetjeve dhe të inkurajohej pjesëmarrja konkrete në aksione të tilla.
Ministrat apo deputetët nuk janë pastrues, por roli i tyre në këto nisma është të japin shembull dhe të sensibilizojnë publikun.
Ndërsa përgjegjësia për një mjedis të pastër është e përbashkët: E institucioneve, por edhe e çdo qytetari. Prandaj, më pak debat për imazhin dhe më shumë veprim konkret do t’i shërbente më mirë të gjithëve.







