×
Thursday, April 16, 2026

Balla: 44 shkolla të reja në Durrës, 90% e rindërtimit pas tërmetit i përfunduar

April 16, 2026


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla replikoi në Kuvend me deputetin e opozitës Igli Cara, duke vënë në dukje punën e qeverisë në procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Nga foltorja e Parlamentit, Balla theksoi se vetëm në bashkinë e Durrësit janë ndërtuar 44 shkolla të reja, ndërsa kritikoi opozitën për fokusimin në raste të veçuara.

Ai solli si shembull edhe zonën e Spitallës, ku, sipas tij, 570 familje kanë përfituar apartamente të reja.

Deputeti socialist deklaroi se procesi i rindërtimit ka arritur në rreth 90% brenda 7 viteve, duke e krahasuar me rastin e qytetit të Akuilës në Itali, ku pas 17 vitesh janë rindërtuar rreth 70% e banesave.

Balla u ndal edhe te investimet në infrastrukturën energjetike, duke përmendur ndërtimin e nënstacioneve në Shëngjin, Shkodër dhe Fushë-Krujë, si dhe projekte të tjera të rëndësishme për furnizimin me energji elektrike.

Në fund, ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës të votojnë marrëveshjen në Kuvend, duke theksuar se projektet janë në interes të qytetarëve dhe jo të përplasjeve politike.




Comments are closed.