Rama: Kemi lidhur kontratën me Fincantierin për prodhimin e anijeve ushtarake në Pashaliman
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Vlorë një bashkëbisedim me operatorët turistik mbi sezonin turistik, rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës si një portë e rëndësishme e turizmit shqiptar në qendër të vëmendjes globale.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se projektet e mëdha në qytetin e Vlorës dhe në zona të tjera bregdetare do të sjellin zhvillim ekonomik si dhe rritje të numrit të turistëve.
Rama tha se Vlora po shndërrohet në një destinacion që mund të krahasohet me qytete në Portugali dhe Spanjë, ku mund të vijnë dhe të jetojnë plot të huaj.
“Shqipëria në këtë kontekstin e madh evropian është një vend ku jetohet me siguri”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek nafta pa taksë për jahtet, ku theksoi se ndikimi ekonomik i tyre është i ndryshëm.
“Çfarë do të thotë kjo se nafta për jahtet është pa taksë dhe për makinat është me taksë. Patjetër! Sepse nga ato jahtet ekonomia jonë fiton. Ndërsa nga makinat mjedisi ynë ndotet dhe patjetër që janë dy gjëra që nuk mund të vihen në krahasim se është si të krahasosh mollët me dardhat”, tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje edhe rolin që pritet të kenë marinat në zhvillimin e turizmit, duke përmendur investimet në Marinën e Vlorës dhe projektet në Durrës dhe Shëngjin.
“Na duhen më shumë marina. Po investojmë. Pashë që po vijon të zhvillohet marina këtu në Vlorë, do të jetë një tjetër motor i rëndësishëm i ekonomisë së Vorës. Do të sjellë shumë njerëz. Vetëm njerëzit që do të vijnë me jahte dhe do të rrinë këtu në dimër do të jenë 2000-2500 njerëz, të cilët janë konsumatorë të këtij qyteti. Plus për të mos folur për ata që do të vijnë për pushime. Marina e Durrësit po ecën dhe ajo, kemi një projekt shumë të bukur dhe në Shëngjin. Na duhen më shumë pika ndalimi, përpunimi të anijeve, të varkave e kështu me radhë”, tha Rama.
Rama foli gjithashtu edhe për marrëveshjen e arritur me kompaninë italiane Fincantierin, për kantierin e Pashalimanit ku do të fillojë prodhimi i anijeve ushtarake.
“Lajmi i mirë është se kemi lidhur një kontratë shumë të madhe me Fincantierin për kantierin e Pashalimanit dhe do të fillojmë prodhimin e anijeve ushtarake të dimensioneve të ndryshëm dhe do të kemi një investim jashtëzakonisht të rëndësishëm, të përbashkët mes nesh dhe italianëve edhe do të bëhemi ekspertues të anijeve ushtarake nga Shqipëria përveçse do të plotësojmë dhe nevojat tona. Por edhe kjo ka një rëndësi të veçantë pasi përsëri do të sjellë njerëz, do të sjellë konsumatorë, do të sjellë të mirat që sjellë çdo investim i tillë”, tha Rama.







