Merz përballet me tensione në qeveri për rritjen e çmimeve të karburanteve
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka qortuar sot kolegen e tij konservatore dhe ministren e Ekonomisë, Katherina Reiche, mes përplasjeve të forta brenda koalicionit qeverisës lidhur me mënyrën se si duhet të përballohen çmimet në rritje të karburanteve.
“Kancelari është i shqetësuar nga përplasja publike dhe i ka kërkuar ministres Reiche të tregojë përmbajtje”, thanë burime pranë kancelarit Merz.
Komentet erdhën pasi Reiche, nga Christian Democratic Union (CDU) e Merz, kritikoi ashpër partnerët e koalicionit nga Social Democratic Party (SPD).
“Në javët e fundit, partneri ynë i koalicionit ka paraqitur propozime që janë të kushtueshme, joefektive dhe të dyshimta nga pikëpamja kushtetuese”, deklaroi Reiche për televizionin “Welt TV”. “Kjo krijon konfuzion dhe nuk i ndihmon konsumatorët.”
Çmimet e karburanteve në Gjermani janë rritur ndjeshëm javët e fundit për shkak të luftës në Iran.
Qeveria ka vendosur një masë që kufizon stacionet e karburantit të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, por kjo politikë nuk ka arritur të ulë kostot për drejtuesit e automjeteve, ndërsa janë regjistruar nivele rekord pas hyrjes në fuqi të saj javën e kaluar.
Ministri i Financave, Lars Klingbeil, njëkohësisht bashkëkryetar i SPD-së, ka bërë thirrje publikisht për masa të mëtejshme për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët.
Ai ka propozuar një ulje të përkohshme të taksës së energjisë, të financuar përmes një takse mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive energjetike gjatë krizës. Klingbeil, i cili mban edhe postin e zëvendëskancelarit, ka kërkuar gjithashtu një tavan fleksibël çmimesh për benzinën, naftën dhe vajin për ngrohje.







