Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar Partinë Demokratike për paqartësi dhe mungesë qëndrimi lidhur me pjesëmarrjen në Komisionin e Posaçëm të Reformës Administrative Territoriale.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla u shpreh se opozita ka ndryshuar qëndrim brenda një dite, duke lënë të paqartë nëse është tërhequr apo jo nga bojkoti i komisionit. Ai ironizoi komunikimin e brendshëm të PD-së, duke thënë se edhe vetë deputetët socialistë janë detyruar të informohen përmes mediave dhe gazetarëve për vendimet e opozitës.
“Ju çfarë thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes”, deklaroi Balla, ndërsa shtoi se për shkak të kakofonisë brenda PD-së, shpesh për të njëjtën çështje flasin disa përfaqësues njëkohësisht, pa një qëndrim zyrtar të qartë.
Balla i kërkoi opozitës të japë një përgjigje përfundimtare nëse do të marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit, duke theksuar se pa praninë e nevojshme të anëtarëve, komisioni nuk mund të funksionojë normalisht.
Ai u shpreh se mazhoranca është e gatshme të presë një vendim deri në mbrëmje, por kërkoi qartësi dhe përgjegjësi institucionale nga opozita, duke falënderuar gjithashtu median për rolin e saj në sqarimin e qëndrimeve të PD-së.


