Merkato në Serie A/ Interi mbetet me duar bosh, Milani në ankth për Matetan, Juve në luftë me kohën për një sulmues
Orë tepër të nxehta në fundin e merkatos së dimrit 2025/26. Sesioni i transferimeve, i hapur më 2 janar, mbyllet sot në orën 20:00, me klubet që po nxitojnë për goditjet e fundit në merkato.
Ja situata te skuadrat kryesore të Serie A:
INTER – Dyer të mbyllura, dështojnë objektivat
Moussa Diaby nuk do të jetë lojtar i Interit. Edhe tentativa e fundit e zikaltërve u rrëzua nga fondi PIF, pronar i Al Ittihad, që refuzoi formulën e huazimit me të drejtë/blokim blerjeje. Interi provoi fillimisht me të drejtë blerjeje për 35 milionë euro, më pas me detyrim blerjeje, por klubi arab nuk lëvizi nga “jo”-ja.
Shpresa e zikaltërve ishte dëshira e lojtarit për t’u rikthyer në Itali, por as kjo nuk mjaftoi. Me këtë zhvillim, merkato e Interit praktikisht mbyllet: nuk priten afrime dhe as largime, pasi as Luis Henrique dhe as Frattesi nuk do të lënë skuadrën.
As pista Perisic nuk ekziston më: PSV ka qenë i qartë, kroati nuk lëviz. Në të njëjtën linjë edhe pista Curtis Jones nga Liverpooli është zbehur ndjeshëm, pasi anglezët nuk duan ta lënë të largohet, ndërsa mesfushori nuk pranon rinovim që do ta lidhte edhe më gjatë me “Reds”.
MILAN – Mateta në pikëpyetje, vendosin mjekët
Janë orë vendimtare për Jean-Philippe Mateta. Sulmuesi i Crystal Palace rrezikon të mos vishet kuqezi për shkak të dyshimeve mbi gjurin (inflamacion në menisk). Edhe pse ka kryer vizitat mjekësore në Londër, Milani ka dërguar një mjek të stafit për kontroll shtesë, pasi raportet e deritanishme nuk kanë bindur plotësisht klubin.
Marrëveshja mes klubeve është gati: 35 milionë euro për Palace dhe kontratë 3-vjeçare për lojtarin me 3–3.5 milionë në sezon plus bonuse. Por tani gjithçka mund të përmbyset ose të marrë dritën jeshile.
JUVENTUS – Sulmuesi mbetet mision i vështirë
Me kalimin e minutave, shanset që Juventusi t’i dhurojë Spallettit një sulmues të ri po zbehen.
Kolo Muani: ekziston një parim marrëveshjeje me PSG, por Tottenham, ku francezi është në huazim, nuk pranon ta humbasë në mes të sezonit.
Icardi: Galatasaray nuk ka ndërmend ta forcojë një rivale të mundshme në Champions. Edhe një dëmshpërblim i majmë duket i pamjaftueshëm.
Sorloth: ide e fundit, por Atletico Madrid ka ngritur murin. Norvegjezi konsiderohet i paprekshëm.
ROMA – Zaragoza gati, pritet firma
Bryan Zaragoza është një hap larg Romës. Spanjolli vjen nga Bayern me huazim dhe të drejtë blerjeje që bëhet detyrim në rast kualifikimi në Champions dhe në bazë të paraqitjeve. Tashmë priten vizitat mjekësore.
Sulmuesi është profil teknik, i shpejtë dhe shumë i fortë në një-kundër-një. Edhe pse natyral në të djathtë, pëlqen të futet nga e majta për të goditur — profil ideal për lojën që kërkon Gasperini.
NAPOLI – Alisson Santos zbarkon për vizita
Napoli ka përqafuar Alisson Santos. Braziliani i vitlindjes 2002 ka mbërritur në Romë për vizitat mjekësore në Villa Stuart. Ai vjen nga Sporting Lisbona me huazim 3 milionë euro dhe të drejtë blerjeje për 15 milionë.
Anësori ra në sy edhe në Champions, ku me një gol kundër Athletic Bilbao ndihmoi Sportingun të kalojë më tej.







