×
Monday, February 2, 2026

Rama: Pagat e gjyqtarëve të njëjta me ato të Greqisë, s’mund të përdorin pushtetin duke ushtruar presion

February 2, 2026


Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga dy shoqata gjyqtarësh për rritjen e pagave të gjyqtarëve, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe problematike nga pikëpamja e logjikës dhe e etikës institucionale.

Në një komunikim me qytetarët, Rama iu referua regjistrimit të një seance të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar së fundmi, ku një gjyqtar dhe dy shoqata gjyqtarësh kanë kërkuar rritje të pagave mujore nga rreth 2 000 deri në 3 000 euro, duke përdorur, sipas tij, argumente që vënë në diskutim standardet e arsyetimit dhe përgjegjësisë publike.

Kryeministri u shpreh se dëgjimi i atij regjistrimi të lë “në vështirësi të madhe”, pasi bëhet fjalë për individë që kanë në dorë dhënien e drejtësisë, ndërkohë që arsyetimi i paraqitur para Gjykatës Kushtetuese është, sipas tij, “tejet për të dëshiruar”.

Rama theksoi se kjo nuk është çështje personale dhe se nuk synon polemikë me askënd, por ngriti shqetësimin se gjyqtarët, duke qenë të pavarur nga vota dhe llogaridhënia direkte publike, nuk mund të përdorin pushtetin e tyre për të ushtruar presion mbi pushtetet e tjera me qëllim rritjen e pagave.

Kryeministri theksoi se gjyqtarët në Shqipëri tashmë paguhen në nivele të barabarta me gjyqtarët në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe se pagat e tyre janë 2 herë më të larta se ato të gjyqtarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Rama nënvizon se diskutimi për “ndërgjegjen” dhe “nivelin e demokracisë”, i ngritur nga disa prej gjyqtarëve gjatë seancës, është ironik dhe i pabazuar, ndërsa theksoi se demokracia nuk forcohet përmes vendimmarrjes në interes vetjak, por përmes përgjegjësisë dhe respektimit të balancës së pushteteve.

Ai shtoi se Shqipëria ndodhet përballë një situate paradoksale, ku gjyqtarët synojnë të imponohen mbi dy pushtetet e tjera, duke krijuar një precedent të rrezikshëm institucional.

Ai kujtoi se sistemi i referencës i miratuar në vitin 2016 kishte një qëllim të qartë dhe të kufizuar në kohë: forcimin e pavarësisë së gjyqësorit në kuadër të reformës në drejtësi, përmes pagave më të larta se ato të funksionarëve të tjerë, si sinjal i fortë i vullnetit shtetëror për një drejtësi të pavarur dhe të respektuar.

“Ky mekanizëm u ndërtua për të reflektuar ndryshimet reale të çmimeve dhe zhvillimet ekonomike, jo për t’u shndërruar në një privilegj të përhershëm që gjyqtarët ta vendosin vetë”, nënvizoi Kryeministri.

Shqipëria, sipas tij, mbetet ndër të paktat vende ku gjyqtarët paguhen më shumë se Presidenti, deputetët dhe drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit.

“Shqipëria mbetet praktikisht i vetmi vend ku gjyqtarët përfitojnë paga më të larta se të gjithë funksionarët e tjerë të shtetit, përfshirë edhe Presidentin e Republikës. Kërkesat aktuale parashikojnë rritje prej rreth 1 800 euro për gjyqtarët e shkallës së parë, rreth 2 000 euro për gjyqtarët e Apelit dhe deri në 3 000 euro për gjyqtarët e SPAK-ut, BKH-së dhe strukturave të lidhura me to. Vlen të theksohet se SPAK nuk i është bashkuar kësaj nisme, e cilësuar nga shumëkush si e pabazuar dhe e tepruar, çka përbën një akt përgjegjshmërie institucionale dhe meriton respekt”, deklaroi Rama.

Në këtë kontekst, Rama kritikoi ashpër edhe argumentin e paraqitur gjatë seancës, sipas të cilit gjyqtarët “sjellin të ardhura” në buxhetin e shtetit përmes gjobave dhe konfiskimeve, duke pretenduar se kjo justifikon rritjen e pagave.

Ai e cilësoi këtë arsyetim si absurd dhe të rrezikshëm, pasi hap rrugën për një logjikë ku edhe administrata tatimore, doganat apo policia mund të kërkojnë paga më të larta bazuar në të ardhurat që gjenerojnë, madje deri në përvetësimin e gjobave.

“Po mësuesit, infermierët, pensionistët dhe punonjësit e tjerë të shtetit që nuk prodhojnë të ardhura të drejtpërdrejta, por mbajnë shoqërinë në këmbë? Si justifikohet përballë tyre përdorimi i rreth 37 milionë eurove për rritje pagash që e çojnë gjyqësorin shqiptar mbi nivelin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian?”, shtroi Rama.

Kryeministri shprehu besimin që kjo çështje të mos kthehet në një njollë të rëndë për shtetin shqiptar dhe që sistemi i drejtësisë të mos detyrojë institucionet të kërkojnë “ilaçe të tjera” për të korrigjuar një situatë që, sipas tij, rrezikon të dalë jashtë çdo norme logjike dhe morale.

“Shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese mos t’i lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe të mos na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera Kush është i interesuar të marrë regjistrimin dhe të kuptojë shumë mirë se sa absurde është kjo histori me gjykatësit që duan ti rrisin vetes pagat. Vet zot vet shkop!”, u shpreh Rama.




Comments are closed.