Inaugurohet Qendra Tregtare Sinsay në Prrenjas, deputeti Komici: Krijon dhjetëra vende të reja pune
U inaugurua sot në Prrenjas Qendra e re Tregtare Sinsay, më e madhja në Shqipërinë Juglindore, një investim i rëndësishëm që shënon një hap të madh për zhvillimin ekonomik të zonës dhe përmirësimin e standardeve të tregtisë.

Ky projekt mban firmën e sipërmarrësit dhe patriotit Luan Belba, i cili me vizionin dhe përkushtimin e tij ka sjellë një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit dhe gjallërimin e ekonomisë lokale.
Qendra Tregtare Sinsay krijon dhjetëra vende të reja pune dhe u ofron qytetarëve produkte cilësore me standarde europiane, duke shmangur nevojën për udhëtime të gjata jashtë zonës apo jashtë vendit.

Investimi është realizuar nga kompania polake LPP S.A., një nga emrat më të njohur në tregun europian të veshjeve, e cila sjell në Prrenjas filozofinë e saj se cilësia mund të jetë e përballueshme për të gjithë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Olsi Komici, e cilësoi këtë investim si një dëshmi të qartë të potencialit që ka Prrenjasi dhe të rëndësisë që ka mbështetja e iniciativave private për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.
“Sot Prrenjasi tregon se kur investohet me zemër dhe vizion, qyteti rritet bashkë me njerëzit e tij”, u shpreh Komici.







