×
Friday, March 29, 2024

76-vjetori i Çlirimit, Balla: Shqiptarët ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës u angazhuan në krah të koalicionit të madh antifashist

November 29, 2020


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka uruar shqiptarët me rastin e 76-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaron se sot bëhen 76 vite nga dita e parë e lirisë.

Sipas Ballës në Luftën e Dytë Botërore, ne shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, me luftën heroike partizane, u angazhuam në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist.

Gjithashtu Balla thekson në shënimin e tij se ka pasur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve.

“Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Meriton shumë më tepër sesa fjalët, edhe sesa përveç fjalëve është mundur të bëhet e tregohet gjithë këto vite”, shprehet Balla.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

RROFTË LUFTA ANTIFASHISTE NACIONAL-ÇLIRIMTARE🙏

LAVDI DËSHMORËVE TË ATDHEUT🇦🇱

Sot bëhen 76 vite nga dita e parë e lirisë. Në Luftën e Dytë Botërore, ne shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, me luftën heroike partizane, u angazhuam në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist.

Nëse sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, kjo është meritë e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë.

Shqipëria jonë e vogël u bë një aleate e madhe e koalicionit antifashist. E madhe për nga çmimi i jashtëzakonshëm i gjakut që pagoi dhe sakrificave të panumërta njerëzore.

Nderimi i këtyre sakrificave është në dinjitetin e çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të kësaj Lufte, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.

Ka patur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve.

Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Meriton shumë më tepër sesa fjalët, edhe sesa përveç fjalëve është mundur të bëhet e tregohet gjithë këto vite. Nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me atë që pasoi pas vitit1945.

Prandaj, nderimi që i bëhet çdo dëshmori që dha jetën për Çlirimin e Atdheut, çdo nderim që bëhet në familjet e dëshmorëve është një vlerë që shoqëria jonë duhet ta përçojë në brezat e ardhshëm. Dhë nëse për këto të vërteta nuk ju bindim ne socialistët shqiptarë, që e kemi për nder të kemi mes nesh pasardhësit e partizanëve, çlirimtarëve dhe veteranëve të kësaj Lufte epike, bëni durim, lexoni e rilexoni çfarë thonë aleatët e mëdhenj të partizanëve shqiptarë.

Lexoni çfarë ka shkruar që në vitin 1943 Uinston Çërçill, Kryeministri i Britanisë se Madhe ne Luftën e Dyte Botërore dhe një antikomunist i denjë e i respektuar dhe jo qesharak si anti-partizanët e sotëm shqiptarë:

“Partizanët shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vet. Oficerët britanikë te ndërlidhjes janë pranë këtyre partizaneve dhe i kane çmuar lart cilësitë e tyre luftarake ne zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun”.
Ndërsa një vit më vonë, kur në malet e Ballkanit po frynte era e çlirimit dhe e lirisë, Çërçill, do të shkruante: “Në malet e thepisura të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe Greqisë rezistenca e fuqishme kundër Gjermanisë ka mbërritur në kulmin e ashpërsisë”.

29 Nëntor – Dita e Çlirimit🇦🇱

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments