Zjarret dhe valët e të nxehtit që kanë përfshirë Francën, Spanjën dhe vende të tjera evropiane i kanë kushtuar kontinentit më shumë se 3 miliardë euro vetëm këtë vit, sipas një analize të Financial Times.
Sipas analizës, gjatë dy muajve të parë të sezonit të zjarreve janë djegur rreth 500 mijë hektarë pyje dhe toka, ndërsa vetëm në pesë vendet më të prekura të eurozonës, përfshirë Portugalinë, Greqinë dhe Rumaninë, dëmet ekonomike vlerësohen në rreth 3,1 miliardë euro.
Kjo shifër tejkalon mesataren vjetore prej 2,5 miliardë eurosh të llogaritur më parë nga Komisioni Evropian për dëmet e shkaktuara nga zjarret në të gjithë Bashkimin Evropian.
Analiza bazohet në metodologjinë e Komisionit Evropian dhe në vlerësimet e autoriteteve franceze, duke përfshirë kostot e restaurimit të zonave të djegura.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se dëmet reale janë shumë më të mëdha, pasi në llogaritje nuk përfshihen humbjet nga ndërprerja e aktiviteteve ekonomike, dëmtimi i infrastrukturës, ndikimi në turizëm, bujqësi dhe shëndetin e popullsisë.
Sipas Financial Times, kostoja totale pritet të rritet më tej, pasi sezoni i zjarreve vazhdon dhe temperaturat e larta mbajnë të lartë rrezikun për përhapjen e flakëve në disa vende evropiane.


