Kriza kineze godet industrinë gjermane të automobilëve

03 Aug 2026 14:29
Shpërndaje:

Industria gjermane e automobilëve po përballet me krizën më të rëndë të dekadave të fundit, pasi tregu kinez, dikur burimi kryesor i fitimeve, është kthyer në sfidën më të madhe për Volkswagen, BMW dhe Mercedes-Benz.

Për dekada, prodhuesit gjermanë përfituan nga rritja e shpejtë e tregut kinez, por prodhuesit vendas kanë fituar avantazh në teknologjinë e automjeteve elektrike, duke ofruar modele më të avancuara dhe me çmime më të ulëta. Në të njëjtën kohë, tregu kinez i makinave është tkurrur me rreth 20% gjatë këtij viti, duke intensifikuar konkurrencën.

Pasojat u reflektuan në rezultatet financiare të gjysmës së parë të vitit. Prodhuesit gjermanë raportuan humbje miliarda euro dhe njoftuan shkurtime të vendeve të punës dhe mbyllje fabrikash në Evropë.

Reklamë Ola

“Situata nuk ka qenë kurrë kaq e vështirë sa është sot. Kur shohim të ardhmen, rreziqet po shtohen gjithnjë e më shumë”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Volkswagen Group, Oliver Blume.

BMW njoftoi se do të shkurtojë 8 mijë vende pune në Gjermani deri në fund të vitit 2027, ndërsa Mercedes-Benz synon të rrisë orarin javor të punës nga 35 në 40 orë pa rritje page. Ndërkohë, Volkswagen po negocion me sindikatat për shkurtimin e rreth 100 mijë vendeve të punës dhe mbylljen e disa fabrikave.

Reklamë InterMedika

Kriza po ndikon edhe në politikën gjermane, duke i dhënë argumente partisë së ekstremit të djathtë AfD, e cila akuzon qeverinë për deindustrializimin e vendit.

Ndërkohë, prodhuesit kinezë po zgjerojnë praninë në Evropë. Sipas të dhënave të ACEA-s, shitjet e makinave kineze në Bashkimin Evropian u rritën me 63% në gjysmën e parë të vitit 2026, duke arritur në rreth 549 mijë automjete, ose afro 10% të tregut evropian.

Komisioni Evropian ka vendosur tarifa shtesë për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë, por ekspertët vlerësojnë se këto masa nuk kanë ndalur rritjen e importeve, pasi ato nuk zbatohen për makinat hibride plug-in.

Përballë kësaj situate, disa prodhues evropianë po shqyrtojnë partneritete me kompani kineze. Stellantis tashmë bashkëpunon me Leapmotor, ndërsa Volkswagen nuk e përjashton mundësinë që modele të zhvilluara në Kinë të prodhohen edhe në Evropë.

Prodhuesit evropianë po kërkojnë gjithashtu tregje të reja, si Amerika e Veriut, India dhe vendet në zhvillim, si dhe mundësi në industrinë e mbrojtjes për të kompensuar rënien e fitimeve nga sektori i automobilëve. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se orientimi drejt industrisë ushtarake mund të sjellë edhe rreziqe të reja, përfshirë reagime nga Kina.