Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, firmosi sot tre marrëveshje me ambasadorin gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, për financimin e projekteve në sektorin energjetik. Paketa përfshin rreth 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant nga qeveria gjermane.
Në një video-mesazh në rrjetet sociale, Karakaçi bëri të ditur se marrëveshjet synojnë modernizimin e sistemit energjetik, rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe përmirësimin e eficencës së energjisë në konviktet e Qytetit Studenti.
Sipas ministrit, marrëveshja e parë parashikon digjitalizimin e sistemit të transmetimit të energjisë, duke mundësuar automatizimin e proceseve që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin e rrjetit energjetik.
“Kënaqësi që nënshkruam tri marrëveshje qeveritare me ambasadorin gjerman, me një rëndësi specifike dhe me një vlerë të rëndësishme, rreth 90 milionë euro hua, dhe rreth 24 milionë euro grant. Marrëveshja e parë lidhet me eficencën e energjisë në sistemin e transmetimit, me digjitalizimin e gjithë sistemit të transmetimit, duke i dhënë mundësi që të automatizojmë edhe gjitha proceset që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjitik. Marrëveshja tjetër lidhet me rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Marrëveshja e fundit lidhet me Qytetin Studenti dhe rehabilitimin në kuadër të eficencës së energjisë, së konvikteve të studentëve. Ka një grant 24 milionë euro nga qeveria gjermane për këto ambiente”.


