Gjermania ka akuzuar Rusinë se qëndron pas sulmit me dron të regjistruar muajin e kaluar në aeroportin Leipzig/Halle, në lindje të vendit, duke e cilësuar incidentin si pjesë të operacioneve hibride të Moskës në Europë.
Më 4 gusht, në aeroport u zbulua një dron i pajisur me një mjet shpërthyes pranë avionëve ukrainas të transportit. Pajisja nuk shpërtheu, pasi dyshohet se detonatori kishte pësuar një defekt. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu dyshimet se një dron i dytë mund të jetë përplasur me një avion transporti që ndodhej në zonë.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi se autoritetet e konsiderojnë Rusinë përgjegjëse për sulmin.
Sipas tij, incidenti i 4 gushtit ndjek “modelin e konsoliduar të operacioneve hibride ruse në Europë”, ndërsa paralajmëroi se Gjermania mund të bëhet sërish objektiv i sulmeve të ngjashme.
Ekspertët e sigurisë kishin ngritur më herët dyshime për një përfshirje të mundshme të Rusisë në incident, ndërsa Moska i ka mohuar akuzat.
Aeroporti Leipzig/Halle ka rëndësi të veçantë strategjike, pasi përdoret nga ushtria gjermane dhe aleatët e NATO-s për transportimin e pajisjeve ushtarake. Aeroporti shërben gjithashtu si bazë për kompaninë ukrainase Antonov Airlines, e cila realizon një pjesë të konsiderueshme të transportit ajror të mallrave për Ukrainën.
Paralelisht me akuzat për sulmin me dron, Berlini njoftoi edhe masa të reja ndaj pranisë ruse në Gjermani. Ministri i Jashtëm Johann Wadephul deklaroi gjatë konferencës për shtyp se do të urdhërojë mbylljen e konsullatës ruse në Bon.
Wadephul bëri të ditur gjithashtu se do të ndërpritet kontrata për “Russian House” në Berlin. Institucioni është përballur prej kohësh me kritika dhe akuza nga disa vëzhgues se është përdorur për aktivitete spiunazhi dhe për përhapjen e propagandës ruse.
Vendimet shënojnë një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Berlinit dhe Moskës, ndërsa autoritetet gjermane kanë paralajmëruar vazhdimisht për rritjen e kërcënimeve hibride ndaj infrastrukturës dhe sigurisë së vendit.


