Veteranët e UÇK-së sulmojnë Zelenskyn pas deklaratës në Beograd: Qëndrimi juaj anti-Kosovë ju nxjerr në pah profesionin e dikurshëm

09 Aug 2026 14:12
Shpërndaje:

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pas deklaratës së tij në Beograd se qëndrimi i Kievit për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar.

Në reagimin e shpërndarë në rrjetet sociale, veteranët e UÇK-së e cilësojnë qëndrimin e presidentit ukrainas si “anti-Kosovë”, ndërsa e lidhin në mënyrë ironike deklaratën e tij me profesionin e aktorit dhe komedianit që Zelensky ushtronte përpara se të hynte në politikë.

“Z. Zelenski, deklarata juaj anti-Kosovë në Beograd, shpërfaq profesionin tuaj para se të bëheshe president!”, thuhet në reagim.

Reklamë Ola

Deklarata vjen një ditë pasi Zelensky, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Serbi, konfirmoi në krah të presidentit Aleksandar Vuçiç se Ukraina nuk ka ndërmend të ndryshojë aktualisht politikën e saj ndaj Kosovës.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar”, deklaroi Zelensky, duke falënderuar njëkohësisht Serbinë për mbështetjen e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë.

Reklamë InterMedika

Në reagimin e tyre, veteranët e UÇK-së i kujtojnë presidentit ukrainas rrethanat që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke nisur nga lufta e viteve 1998-1999 dhe ndërhyrja e NATO-s në pranverën e vitit 1999.

Ata theksojnë se ndërhyrja ndërkombëtare erdhi përballë represionit dhe spastrimit etnik të kryer nga forcat serbe, ndërsa më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë.

Veteranët ndalen veçanërisht te opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, duke argumentuar se legjitimiteti i shpalljes së pavarësisë është trajtuar nga institucioni më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara.

“Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë dha mendimin këshillimor ku konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244, e as Kornizën Kushtetuese”, thuhet në reagim.

Veteranët i drejtohen Zelenskyt duke theksuar gjithashtu se shumë prej shteteve që kanë njohur Kosovën janë të njëjtat vende që sot mbështesin Ukrainën në përballjen me Rusinë.

Reagimi i veteranëve të UÇK-së i shtohet kritikave ndaj deklaratës së Zelenskyt në Beograd, ndërsa qëndrimi i Ukrainës ndaj pavarësisë së Kosovës vazhdon të mbetet i pandryshuar.