Shqipëria reagon pas deklaratës së Zelenskyt për Kosovën: Çdo paralele me Ukrainën është e gabuar

09 Aug 2026 13:59
Shpërndaje:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas vizitës së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Serbi dhe deklaratave të tij për Kosovën, duke theksuar se çdo përpjekje për të vendosur në të njëjtin ekuacion çështjen e Kosovës me situatën në Ukrainë është e gabuar dhe çorientuese.

Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme vlerëson dialogun mes Ukrainës dhe Serbisë, por rithekson qëndrimin e qartë të Shqipërisë në mbështetje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe të pavarësisë dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës.

“Çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Reklamë Ola

Tirana zyrtare nënvizon se rasti i Kosovës mbështetet në rrethana të veçanta historike, politike dhe ligjore dhe nuk mund të krahasohet me agresionin rus kundër Ukrainës.

Në këtë kontekst, Ministria e Jashtme sjell në vëmendje edhe opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila, pas kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Reklamë InterMedika

Në të kundërt, sipas ministrisë, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës përbën një shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, së drejtës ndërkombëtare dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Reagimi vjen pasi Zelensky, gjatë konferencës së përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Beograd, deklaroi se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Presidenti ukrainas falënderoi gjithashtu Serbinë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë.

Për Tiranën, një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, paqësor dhe i orientuar drejt Bashkimit Evropian kërkon pranimin e realitetit dhe të pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës.

Shqipëria rithekson njëkohësisht mbështetjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, që në fund çon në njohje të ndërsjellë, nuk do ta dobësonte Serbinë”, thekson ministria, duke shtuar se një zhvillim i tillë do të krijonte kushtet për pajtim, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Sa i përket vetë vizitës së Zelenskyt në Beograd, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e sheh atë si një zhvillim që i shërben para së gjithash interesave të Ukrainës.

Tirana mirëpret gjithashtu çdo hap që mund ta afrojë Serbinë më shumë me Evropën dhe ta largojë nga ndikimi rus, duke e konsideruar një orientim të tillë në interes të stabilitetit dhe perspektivës evropiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor.