Situata në Krujë është normalizuar pas zjarrit masiv që përfshiu zonën, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka falënderuar efektivët dhe të gjitha strukturat që u angazhuan në operacionin për përballimin e flakëve dhe evakuimin e banorëve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lamallari shprehu mirënjohjen e tij për rreth 300 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në terren së bashku me forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura.
Ministri bëri të ditur se falënderimi u përcillet efektivëve në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama, duke vlerësuar veçanërisht punën e tyre në kushtet e vështira të krijuara nga zjarri dhe era e fortë.
Sipas Lamallarit, një nga operacionet më të rëndësishme ishte evakuimi i banorëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa strukturat shtetërore u mobilizuan për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të shmangur pasoja më të rënda.
Në operacion u përfshinë gjithashtu forcat speciale dhe Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa Policia e Shtetit vuri në dispozicion autobote dhe makina ujëhedhëse për të ndihmuar në përballimin e flakëve.
Pas orëve të vështira të përballjes me zjarrin, ministri tha se Kruja është tashmë më e qetë, ndërsa vlerësoi kurajën dhe përgjegjshmërinë e efektivëve që shërbyen në terren.
“Kruja sot është më e qetë dhe më krenare se mbase asnjëherë më parë për vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat me uniformë të cilët shërbyen me kurajë, përgjegjësi dhe empati përballë rrezikut kritik të zjarrit të favorizuar nga era e fortë. Respekt!”, shkruan Lamallari.
Zjarri në malin e Krujës mobilizoi një numër të madh forcash dhe mjetesh nga strukturat e emergjencave, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, ndërsa operacioni u përqendrua njëkohësisht në shuarjen e flakëve, mbrojtjen e banesave dhe evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara.


