Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli nuk do ta pranojë planin me 15 pika të Bordit të Paqes për Gazën, duke kundërshtuar njëkohësisht çdo perspektivë për krijimin e një shteti palestinez.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Netanyahu e bëri të qartë se qëndrimi i tij ndaj shtetësisë palestineze mbetet i pandryshuar dhe se, për sa kohë ai do të drejtojë qeverinë izraelite, një shtet i tillë nuk do të krijohet as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor.
“Për sa kohë që unë do të jem kryeministër, nuk do të krijohet kurrë një shtet palestinez. As në Gaza dhe as në Jude e Samari (Bregun Perëndimor). As një ‘Fatahstan’ dhe as një ‘Hamastan’”, deklaroi Netanyahu.
Kryeministri izraelit përsëriti gjithashtu kundërshtimin ndaj dokumentit me 15 pika të hartuar nga Bordi i Paqes, duke e lidhur çdo tërheqje të forcave izraelite me çarmatimin e plotë të Hamasit.
“Dua ta them edhe një herë qartë: Izraeli e refuzon dokumentin me 15 pika. Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk do të tërhiqen derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht dhe t’i jenë marrë armët”, u shpreh ai.
Deklaratat e Netanyahut vijnë në një moment kur po zhvillohen përpjekje për përcaktimin e së ardhmes politike dhe të sigurisë së Gazës.
Sipas njoftimeve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur arritjen e një marrëveshjeje me Hamasin për çarmatimin e grupit dhe transferimin e kontrollit politik dhe ushtarak të Gazës te një administratë teknike palestineze, e njohur si Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës.
Marrëveshja parashikon një proces që pritet të shtrihet përgjatë shtatë deri në tetë muajve të ardhshëm, periudhë gjatë së cilës si Hamasi, ashtu edhe Izraeli duhet të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për zbatimin e angazhimeve të parashikuara.
Qëndrimi i Netanyahut, megjithatë, sinjalizon përplasje me elementë thelbësorë të planit për të ardhmen e Gazës. Kryeministri izraelit këmbëngul se çdo ndryshim i situatës në terren duhet të paraprihet nga çarmatimi i plotë i Hamasit, ndërsa përjashton kategorikisht krijimin e një shteti palestinez gjatë mandatit të tij.
Në këtë mënyrë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për një marrëveshje më të gjerë mbi administrimin dhe sigurinë e Gazës, dallimet mbi çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe perspektivën e shtetësisë palestineze mbeten në qendër të përplasjes.


