UEFA pritet të tërhiqet nga kërcënimi për bojkotimin e kompeticioneve të FIFA-s, pasi ka marrë garanci se nuk do të përsëritet një plan i ngjashëm me atë të presidentit Gianni Infantino për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës te investitorë privatë.
Çështja pritet të diskutohet të enjten në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Monako. Vetëm pak ditë më parë, drejtuesit e futbollit europian kishin paralajmëruar se kushtet e tyre për shmangien e bojkotit ende nuk ishin përmbushur.
Në qendër të përplasjes qëndronte kërkesa për garanci se FIFA nuk do të rikthehej te iniciativa të ngjashme për përfshirjen e investitorëve privatë në pronësinë e kompeticioneve të saj.
Nëse UEFA heq përfundimisht dorë nga bojkoti, Kupa e Botës U20 për femra do të zhvillohet sipas planit muajin e ardhshëm. Në turne pritet të marrin pjesë gjashtë kombëtare europiane: Anglia, Franca, Italia, Portugalia, Spanja dhe Polonia, e cila është vendi organizator.
Përplasja me Infantinon nuk përfundon
Megjithatë, tërheqja nga bojkoti nuk pritet t’i japë fund konfliktit mes UEFA-s dhe drejtimit aktual të FIFA-s.
UEFA ka qenë ndër kundërshtarët kryesorë të mënyrës së drejtimit të institucionit nga Gianni Infantino dhe pritet të vazhdojë presionin për ndryshime të rëndësishme në qeverisjen e futbollit botëror.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka deklaruar se pret që Infantino ose të japë dorëheqjen, ose të përballet me një kandidat rival në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në mars.
Debati ka përfshirë edhe figura të njohura të futbollit. Ish-futbollistë dhe lojtarë si Mikael Silvestre, Lucy Bronze dhe Emmanuel Petit kanë kërkuar ndryshime në drejtimin e FIFA-s.
Në krahun tjetër, Cafu, Christian Vieri, Pepe dhe Esteban Cambiasso kanë dalë publikisht në mbështetje të Infantinos, duke mbrojtur bilancin e punës së tij gjatë dekadës së fundit.
Pavarësisht zbutjes së mundshme të qëndrimit për bojkotin, burime pranë UEFA-s bëjnë të ditur se presioni ndaj FIFA-s do të vazhdojë. Për momentin, synimi është që përplasja mes dy institucioneve të mos penalizojë futbollistet e reja dhe zhvillimin e Kupës së Botës U20 për femra.


