Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në manifestimin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare, Vuthaj 2026”, ku bëri thirrje për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Begaj e cilësoi këtë aktivitet një urë që bashkon shqiptarët me vendlindjen, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe të lidhjes mes brezave.
“Alpet Shqiptare janë pjesë e historisë sonë, e karakterit dhe e mënyrës se si kemi ditur të jetojmë në harmoni me natyrën. Kush vjen këtu nuk gjen vetëm bukuri, por edhe kujtime, traditë dhe identitet”, u shpreh Presidenti.
Ai vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Plavë dhe Guci për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare, duke kujtuar edhe figura historike si Ali Pashë Gucia dhe Jakup Ferri.
Begaj theksoi se shqiptarët jetojnë sot në një periudhë me më shumë mundësi, duke nënvizuar rëndësinë e paqes, integrimit europian dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk duhet vetëm të ruajmë atë që kemi trashëguar, por edhe të ndërtojmë me besim të ardhmen, të jemi krenarë për identitetin tonë dhe të mbështesim njëri-tjetrin, në mënyrë që brezat që vijnë të kenë më shumë mundësi se ne”, tha ai.
Në përfundim të aktivitetit, Presidenti Begaj u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, në vlerësim të kontributit të tij në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Gjatë vizitës në Plavë dhe Guci, Kreu i Shtetit zhvilloi edhe takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe autoritetet vendore.


