Presidenti amerikan Donald Trump po u kërkon ndihmësve të tij të përgatisin terrenin për një takim të ri me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në përpjekje për të rikthyer dialogun mbi programin bërthamor të Phenianit.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Wall Street Journal, Trump ka diskutuar privatisht mundësinë e një takimi gjatë udhëtimit të tij të ardhshëm në Azi. Një mundësi mund të krijohet në nëntor, kur liderë botërorë pritet të mblidhen në Kinë për samitin e APEC.
Megjithëse ende nuk ka një propozim zyrtar, Trump beson se një takim personal me Kim mund të rihapë kanalet e komunikimit mes Uashingtonit dhe Phenianit.
Një samit i mundshëm do të rikthente diplomacinë personale që karakterizoi marrëdhëniet Trump-Kim gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, kur dy liderët zhvilluan tre takime.
Megjithatë, analistët mbeten skeptikë për rezultatet që mund të sjellë një takim i ri, pasi ndër vite Koreja e Veriut ka zgjeruar ndjeshëm arsenalin e saj bërthamor dhe raketor.
Shtëpia e Bardhë është shprehur se Trump dhe Kim do të takohen “në kohën e duhur”, pa dhënë detaje për një datë konkrete.


