Zjarri masiv në Belgjikë vazhdon të përhapet, katër vende evropiane në ndihmë

17 Aug 2026 12:38
Shpërndaje:

Përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarrin masiv që ka përfshirë rezervatin natyror “High Fens” në Belgjikë kanë vijuar edhe këtë të hënë, me mbështetje ajrore nga katër vende evropiane. Flakët, që shpërthyen të premten pranë kufirit me Gjermaninë, kanë përfshirë tashmë rreth 3 000 hektarë tokë, një sipërfaqe e barabartë me afro 3 800 fusha futbolli.

Zjarrfikësit po përballen me kushte tepër të vështira për shkak të erërave të forta dhe që ndryshojnë vazhdimisht drejtim, ndërsa terreni i thyer, mungesa e rrugëve të aksesit dhe zonat e gjera me moçale torfe e bëjnë ndërhyrjen nga toka shumë të ndërlikuar.

“Me rikthimin e dritës së ditës, operacionet do të intensifikohen sërish”, deklaroi nënkryetari i bashkisë së Monschau, Franz-Karl Boden.

Reklamë Ola

Sipas tij, për momentin nuk ka indikacione se zjarri do të përhapet në territorin gjerman, megjithëse autoritetet vijojnë ta monitorojnë situatën nga afër.

Gjatë mëngjesit në zonë ranë reshje shiu, ndërsa meteorologët parashikojnë reshje të tjera gjatë ditës, të cilat pritet të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së flakëve.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, si masë parandaluese, rreth 30 banorë nga 17 banesa në disa pjesë të qytetit gjerman Monschau u evakuuan mbrëmjen e së dielës për shkak të tymit të dendur që ka mbuluar zonën.

Me përmirësimin e kushteve të shikueshmërisë, helikopterët do të rifillojnë operacionet në zonat më të paarritshme të rezervatit.

Në operacion janë përfshirë mjete ajrore nga disa vende evropiane. Holanda ka angazhuar një helikopter me kapacitet të madh për transportin e ujit, ndërsa Suedia ka dërguar dy avionë zjarrfikës që furnizohen me ujë nga liqenet dhe sipërfaqet ujore pranë zonës së zjarrit.

Gjermania pritet të dërgojë dy helikopterë të Bundeswehr-it, të cilët do t’i bashkohen operacionit rreth mesditës, ndërsa dy helikopterë nga Norvegjia pritet të mbërrijnë në Belgjikë gjatë orëve të mbrëmjes.

Zjarri ka detyruar autoritetet belge të marrin masa të gjera sigurie. Të shtunën, rreth 600 persona u evakuuan nga dy bashki pranë rezervatit “High Fens”, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë të punojnë për të mbrojtur zonat e banuara dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Autoritetet belge vijojnë të monitorojnë situatën në koordinim me partnerët evropianë, ndërsa operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të mëdha kundër zjarreve që ka përjetuar vendi në vitet e fundit.