Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez reagoi ndaj debatit të fundit në Bashkimin Evropian për menaxhimin e migracionit, duke u bërë thirrje vendeve anëtare të respektojnë kuadrin ligjor evropian dhe të ruajnë unitetin përballë krizës.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Sánchez publikoi të dhëna të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) për hyrjet e parregullta në BE gjatë periudhës 2021–2026.
Sipas shifrave të publikuara prej tij, Italia kryeson me 478.600 hyrje të parregullta, e ndjekur nga Ballkani Perëndimor me 340.600, Greqia me 259.800, Spanja me 234.760 dhe kufiri lindor i BE-së me 48.000.
Duke iu referuar debateve të fundit mes vendeve anëtare për menaxhimin e kufijve, Sánchez theksoi se respektimi i marrëveshjeve evropiane është një detyrim për të gjitha shtetet.
“Solidariteti dhe empatia janë opsionale. Respekti për traktatet dhe të dhënat evropiane, jo”, u shpreh ai.
Në përfundim të reagimit, kryeministri spanjoll bëri thirrje për shmangien e përçarjeve politike brenda Bashkimit Evropian.
“Nuk është koha për përçarje. Është koha për të vazhduar ndërtimin e një Bashkimi Evropian të fortë dhe të bashkuar”, përfundoi Sánchez.


