Gonxhja: Ksamili më i organizuar, çmimet e plazheve janë normalizuar

31 Jul 2026 22:19
Shpërndaje:

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi se sezoni turistik në Shqipëri po zhvillohet me një organizim më të mirë, ndërsa vlerësoi se Ksamili këtë vit paraqitet më i menaxhuar krahasuar me vitet e mëparshme.

I ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania, Gonxhja tha se Bashkia e Sarandës ka vendosur çmime tavan për stacionet e plazhit, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe garantimin e tarifave më të përballueshme për pushuesit.

Sipas tij, monitorimet tregojnë se çmimet e referencës janë respektuar në një nivel të kënaqshëm edhe nga operatorët privatë.

Reklamë Ola

“Ka pasur një normalizim të çmimeve në Ksamil. Për këtë arsye Bashkia e Sarandës duhet vlerësuar, sepse mori një vendim jo të lehtë duke vendosur çmime reference tavan për kategori të ndryshme plazhesh. Jemi në monitorim dhe, të paktën deri tani, çmimet janë respektuar në një nivel të kënaqshëm”, tha Gonxhja.

Ministri theksoi se këtë sezon është përmirësuar edhe menaxhimi i stacioneve të plazhit, falë bashkëpunimit mes institucioneve dhe subjekteve private.

Reklamë InterMedika

Ai shtoi se janë zgjeruar hapësirat publike ku bashkia ofron çadra dhe shezlongë falas, ndërsa është përmirësuar edhe sinjalistika, pastrimi dhe organizimi i sigurisë në plazhe.

Sipas Gonxhjes, ndryshe nga vitet e kaluara, janë sistemuar molet, pikat e ankorimit dhe janë vendosur bova sigurie për të shmangur rrezikun nga mjetet lundruese pranë vijës bregdetare.

“Termi ‘Ksamili bosh’ nuk qëndron. Ksamili është më i normalizuar në të gjithë shtrirjen e tij dhe ka përmirësime të dukshme. Nuk është vetëm punë e qeverisë, por edhe rezultat i bashkëpunimit me subjektet që operojnë në zonë”, u shpreh ministri.