Forbes: Shqipëria, ndër vendet më të mira për të kaluar pensionin

31 Jul 2026 20:33
Shpërndaje:

Revista prestigjioze amerikane Forbes e ka renditur Shqipërinë mes vendeve më tërheqëse për pensionistët, duke vlerësuar koston e ulët të jetesës, klimën mesdhetare dhe peizazhet natyrore.

Sipas Forbes, Shqipëria ofron një kosto jetese rreth gjysmën e mesatares së SHBA-së, ndërsa kujdesi shëndetësor cilësohet i përballueshëm dhe në përmirësim. Revista veçon gjithashtu nivelin e ulët të kriminalitetit dhe procedurat relativisht të lehta për marrjen e lejes së qëndrimit.

“Shqipëria ka klimë mesdhetare, plazhe dhe male piktoreske, ndërsa krimi mbetet në nivele të ulëta dhe qeveria është relativisht e qëndrueshme”, shkruan Forbes.

Reklamë Ola

Megjithatë, revista evidenton edhe disa sfida, si mungesa e një marrëveshjeje tatimore me SHBA-në për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe fakti që fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara kërkojnë zakonisht të paktën një ndalesë.

Sipas Forbes, pensionistët amerikanë mund të qëndrojnë në Shqipëri si turistë deri në një vit dhe më pas të aplikojnë për leje më afatgjata qëndrimi, përfshirë vizën e pensionistit. Për një çift kërkohen rreth 20 mijë dollarë të ardhura vjetore nga pensioni.

Reklamë InterMedika

Revista rekomandon si destinacione kryesore Tiranën, Durrësin, Sarandën dhe Vlorën.

Përveç Shqipërisë, në listën e Forbes për vendet më tërheqëse për pensionistët përfshihen edhe Argjentina, Austria, Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika, Qiproja, Franca, Irlanda, Greqia, Italia, Malta, Mali i Zi dhe Portugalia.