Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) është përzgjedhur mes gjashtë finalistëve për çmimin “Aeroporti i Vitit 2026”, vlerësimi kryesor i Airport Honour Awards, organizuar nga International Airport Review.
TIA konkurron përkrah aeroporteve të Nju Jorkut, Mynihut, Vjenës, Pittsburghut dhe Buenos Airesit. Finalistët përzgjidhen nga ekspertë dhe drejtues të industrisë së aviacionit, bazuar në performancën e përgjithshme, efikasitetin operacional, eksperiencën e pasagjerëve, inovacionin dhe qëndrueshmërinë.
Përzgjedhja vjen pas rritjes së fortë të Aeroportit të Tiranës gjatë viteve të fundit. Nga 3.3 milionë pasagjerë në vitin 2019, TIA arriti në 10.7 milionë në vitin 2024 dhe 11.6 milionë në vitin 2025. Për vitin 2026 parashikohet që numri të arrijë rreth 13.3 milionë pasagjerë.
Rritja është shoqëruar me investime në zgjerimin e infrastrukturës. Terminali i pasagjerëve është trefishuar, janë shtuar kapacitetet e check-in-it dhe portat e imbarkimit, ndërsa pista është zgjatur në 3,000 metra. Pozicionet e parkimit të avionëve janë rritur nga 7 në 31.
Investime janë kryer edhe në teknologji, përfshirë sistemet biometrike të njohjes së fytyrës në kontrollin kufitar, teknologji të avancuara të sigurisë dhe linja të dedikuara për kalim të shpejtë dhe për familjet.
Në aspektin mjedisor, TIA ka arritur Nivelin 3 – Optimization të Airport Carbon Accreditation dhe ka investuar mbi 5 milionë euro në iniciativa të qëndrueshmërisë. Projektet e energjisë së rinovueshme prodhojnë rreth 5,700 MWh në vit dhe kanë kontribuar në reduktimin e 4,443 tonëve CO₂.
Aktualisht, Aeroporti i Tiranës lidhet drejtpërdrejt me rreth 120 destinacione përmes 60 kompanive ajrore partnere.
Përzgjedhja mes finalistëve për “Aeroportin e Vitit 2026” e vendos TIA-n përkrah disa prej aeroporteve të njohura ndërkombëtare dhe përbën një tjetër vlerësim për zhvillimin e aeroportit dhe rritjen e rolit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të aviacionit.


