Ferit Hoxha takim me përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës: Të drejtat e tyre, përparësi e diplomacisë shqiptare

22 Aug 2026 19:11
Shpërndaje:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me të cilët diskutoi për mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e përfaqësimit të tyre në Serbi.

Në takim morën pjesë deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Sipas ministrit Hoxha, gjatë takimit u zhvillua një bisedë e drejtpërdrejtë dhe përmbajtësore për çështjet që kërkojnë bashkërendim të vazhdueshëm mes Tiranës dhe përfaqësuesve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Reklamë Ola

Në fokus ishin mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, si dhe garantimi i një përfaqësimi me peshë reale në jetën politike dhe institucionale të Serbisë. Gjithashtu u diskutua për nevojat konkrete të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Luginë.

“Përfaqësimi real dhe i denjë, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, arsimimi, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë nuk janë çështje episodike. Ato kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret”, deklaroi Hoxha.

Reklamë InterMedika

Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës mbeten një nga përparësitë e qëndrueshme të veprimtarisë diplomatike të Shqipërisë.

Hoxha garantoi gjithashtu se Tirana zyrtare do të vazhdojë të qëndrojë pranë shqiptarëve të Luginës, duke mbështetur adresimin e problematikave të tyre përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe dialogut.

“Shqipëria do të vijojë të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me angazhim dhe dialog”, nënvizoi ministri.