Rama ironizon delegacionin e Global Sumud Flotilla pas mbërritjes në Vlorë: “Çlirimtarët e Sazanit” refuzuan të vizitonin ishullin

22 Aug 2026 19:03
Shpërndaje:

Delegacioni i Global Sumud Flotilla ka mbërritur këtë të shtunë në Portin e Vlorës, pasi kishte njoftuar më herët në rrjetet sociale se do t’i bashkohej kauzës për mbrojtjen e Sazanit dhe Vjosës. Mbërritja e aktivistëve ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa Agjencia Kombëtare e Turizmit thotë se delegacioni refuzoi ofertën për të vizituar Sazanin.

Në Portin e Vlorës, përfaqësuesit e flotiljes u pritën nga zv.ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Marinela Prifti, dhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj.

Pas mbërritjes së tyre, kryeministri Edi Rama reagoi me ironi ndaj misionit të aktivistëve, ndërsa vlerësoi mënyrën se si institucionet shqiptare organizuan pritjen.

Reklamë Ola

“Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temianit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre. Gjithsesi, një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për ‘pritjen’ e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit”, shkroi Rama.

Për mbërritjen e delegacionit reagoi më gjatë edhe Jola Hysaj, e cila tha se kishte shkuar personalisht në port për të pritur aktivistët. Sipas saj, institucionet shqiptare u ofruan atyre mundësinë për të vizituar Sazanin dhe për t’u njohur nga afër me situatën dhe informacionet lidhur me zhvillimet e mundshme në ishull.

Reklamë InterMedika

Hysaj pretendon se delegacioni nuk e pranoi ofertën dhe ndryshoi planet pas mbërritjes në Shqipëri.

“U ofruam gjithashtu t’i shoqëronim për të vizituar Sazanin, ishullin për të cilin kishin dhënë tashmë një verdikt shumë të rëndë, duke arritur deri aty sa ta krahasonin me Gazën. Donim t’u jepnim të gjithë informacionin në dispozicion dhe t’u krijonim kushtet më të mira për të bërë lirisht çdo pyetje. Nuk deshën”, deklaroi ajo.

Sipas drejtoreshës së AKT-së, delegacioni nuk pranoi as të ndiqte prezantimin e përgatitur nga institucionet, por mori dokumentacionin informues dhe njoftoi se do të udhëtonte drejt Tiranës.

Hysaj kritikoi veçanërisht krahasimet e bëra në materialet e publikuara në rrjetet sociale mes situatës në Gaza dhe debatit për të ardhmen e Sazanit. Ajo iu referua edhe një imazhi të një flamingoje të mbështjellë me keffiyeh palestineze, duke theksuar se Sazani është një ishull pa popullsi civile rezidente dhe se flamingot ndodhen në lagunën e Nartës dhe jo në ishull.

“Krahasimi nuk është i guximshëm. Është grotesk, injorant dhe thellësisht fyes”, tha Hysaj, duke argumentuar se tragjedia njerëzore në Gaza nuk mund të vendoset në të njëjtin plan me debatin mbi një projekt të mundshëm turistik në një ishull shqiptar të pabanuar.

Në reagimin e saj, Hysaj dha edhe detaje mbi statusin e Sazanit dhe diskutimet për zhvillimin e tij. Sipas saj, aktualisht nuk ekziston asnjë marrëveshje me një subjekt privat dhe nuk është miratuar apo paraqitur një projekt përfundimtar arkitektonik. Ajo theksoi gjithashtu se nuk është shitur asnjë sipërfaqe e ishullit.

Sipas të dhënave të bëra publike prej saj, Sazani ka një sipërfaqe prej 562 hektarësh, ndërsa zona brenda së cilës mund të shqyrtohet një ndërhyrje e mundshme përfshin 45 hektarë, ose pak më shumë se 8% të ishullit. Hysaj tha se monumentet natyrore, kënetat, zonat më të ndjeshme, Parku Kombëtar Detar dhe sipërfaqja detare e mbrojtur përjashtohen nga çdo zhvillim i mundshëm.

Ajo shtoi se, në rast se në të ardhmen arrihet një marrëveshje dhe miratohet një projekt turistik, subjekti privat nuk do ta blejë ishullin, por mund të marrë pjesë përmes një sipërmarrjeje të përbashkët me shtetin shqiptar.

“Shteti nuk do të jetë shitësi i ishullit, por partneri i projektit të mundshëm. Pronësia e Sazanit do të mbetet publike”, deklaroi Hysaj.

Drejtoresha e AKT-së e mbylli reagimin duke thënë se institucionet mbeten të gatshme t’u mundësojnë aktivistëve një vizitë në ishull nëse ndryshojnë qëndrim.

“Kur më në fund të duan të shohin Sazanin dhe të njohin faktet, dera jonë do të mbetet e hapur. Ndërkohë, Sazani mbetet aty ku ka qenë gjithmonë: shqiptar, publik, i shëndoshë dhe i sigurt. Nuk është në shitje dhe nuk ka qenë kurrë në shitje”, përfundoi Hysaj.

Pas mbërritjes në Shqipëri, përfaqësues të delegacionit të Global Sumud Flotilla janë parë gjithashtu duke vizituar një murale në një prej rrugëve të vendit.