Kanadaja pezullon negociatat tregtare me SHBA-në, Carney paralajmëron kundërpërgjigje ndaj tarifave

22 Aug 2026 19:08
Shpërndaje:

Kryeministri kanadez Mark Carney ka njoftuar pezullimin e negociatave tregtare me Shtetet e Bashkuara, pasi palët nuk arritën një marrëveshje përpara afatit të vendosur për hyrjen në fuqi të tarifave të reja amerikane.

Carney deklaroi se negociatorët kanadezë kishin punuar deri në momentet e fundit për të arritur një marrëveshje që do t’i siguronte Kanadasë qasje sa më të mirë në tregun amerikan dhe më shumë siguri për bizneset dhe punëtorët.

“Bëmë përparim të rëndësishëm drejt përmirësimit të pozitës së Kanadasë, duke pasur marrëveshjen më të mirë në botë me SHBA-në. Megjithatë, ky përparim nuk ka qenë i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët”, tha kryeministri.

Reklamë Ola

Për këtë arsye, Carney bëri të ditur se kishte urdhëruar ndërprerjen e bisedimeve dhe kthimin e ekipit negociator në Otava.

“Sonte vendosa të pezulloj negociatat tregtare me SHBA-në dhe udhëzova negociatorët e Kanadasë të kthehen në Otava”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Sipas kryeministrit kanadez, delegacioni i Otavës kishte negociuar “shumë dhe me mirëbesim” për të mbrojtur interesat kombëtare, por ndryshimet e bëra në momentet e fundit nga pala amerikane e bënë të pamundur arritjen e marrëveshjes.

“Ndryshimet e minutës së fundit në kushtet e propozuara nga SHBA-ja ishin të padrejta, ekonomikisht të pafavorshme dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje”, u shpreh Carney.

Tensionet tregtare pritet të përshkallëzohen më tej, pasi Uashingtoni synon vendosjen e tarifave prej 50 për qind ndaj një game mallrash kanadeze. Sipas Carney-t, masat prekin produkte me vlerë rreth 28 miliardë dollarë.

Kanadaja ka paralajmëruar se nuk do t’i lërë pa përgjigje tarifat amerikane dhe do të vendosë masa reciproke.

“Kanadaja do t’u përgjigjet këtyre tarifave dollar për dollar për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset tona”, deklaroi kryeministri.

Negociatat në Uashington kishin rifilluar një ditë më parë, ndërsa të dyja palët po përpiqeshin të arrinin një kompromis përpara afatit të mesnatës. Deri pak përpara ndërprerjes së bisedimeve, sinjalet nga Uashingtoni kishin qenë më optimiste.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar të mërkurën se ishte arritur një marrëveshje “shumë e drejtë”, ndërsa edhe zyrtarët e të dyja vendeve kishin lënë të kuptohej se negociatat ishin pranë përfundimit.

Megjithatë, sipas versionit të paraqitur nga Carney, ndryshimet e fundit të kërkuara nga SHBA-ja penguan finalizimin e saj.

Pezullimi i negociatave dhe paralajmërimi i Otavës për masa hakmarrëse hapin kështu një fazë të re tensioni tregtar mes dy vendeve fqinje, ekonomitë e të cilave janë të lidhura ngushtë përmes tregtisë dhe zinxhirëve të furnizimit.