×
E shtunë, 16 Janar, 2021

“Të angazhuar me kontakte në të gjitha nivelet për sigurimin e vaksinës anti COVID-19”

1 Dhjetor, 2020

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne jemi të përfshirë në ato sisteme që janë ngritur në këmbë për ta parablerë vaksinën antiCOVID dhe kemi dedikuar edhe një fond. Por në momentin që flasim nuk ka asnjë afat të fiksuar”.

Në një bashkëbisedim me studentët në portalin studentor, Kryeministri Rama theksoi se “përpjekja jonë është që një orë e më parë, sigurisht jo përpara gjithë të tjerëve, por bashkë me të gjithë të tjerët, edhe ne të kemi mundësinë të bëjmë vaksinimin e njerëzve”.

“Ne jemi shumë të angazhuar me kontakte në të gjitha nivelet për të mos mbetur mbrapa. Nuk mund të jap tani data, nuk ka një kontratë të nënshkruar”, – tha Rama.

Kryeministri e cilësoi vaksinën një risi pozitive në këtë mjegull, sepse tha ai, sjell armën për ta mbrojtur shëndetin nga ky virus duke imunizuar njerëzit.

“Këtu ne jemi shumë të fokusuar, është një situatë e përgjithshme turravrapi për të garantuar vaksinën, ndërkohë që ka një paqartësi të madhe”, – tha Rama.

I pyetur se kur përfundon vala e dytë, Rama tha se “nuk kam dëgjuar t’i japë përgjigje askush në botë se deri kur do të zgjasë vala e dytë e pandemisë dhe cili është afati i mbarimit të kësaj lufte”.

“Besoj që do ta kalojmë dhe do ta kalojmë duke dalë jo të dërrmuar, por sigurisht më të çliruar dhe më të fortë”, – u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “masat shtrënguese nuk i vendos unë, i vendos Komiteti Teknik i Ekspertëve. Masa më e rëndësishme është çfarë bëjmë si individë me rregullat e thjeshta, sepse në fund të fundit ne jemi transmetuesit e këtij virusi dhe nëse e ndihmojmë apo e pengojmë virusin, varet nga ne. Deri tani nëse shohim atë që është problemi themelor i kësaj sfide, aftësinë për të përballuar fluksin e njerëzve në nevojë në spital, them se jemi në ekuilibër. Nëse shohim fatalitetet, edhe pse një jetë e humbur është shumë, jemi në ekuilibër. Askush, askund nuk i di të gjitha, mësojmë hap pas hapi”.

“Për momentin nuk kemi paraprirë masa shtrënguese, por nuk përjashtohen masat shtrënguese”, tha Rama.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për