Forcat e Armatosura kanë marrë në dorëzim 40 mjetet e para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s nga kompania “Timak Defence”, në një ceremoni ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Ministri e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme për industrinë shqiptare të mbrojtjes, duke theksuar se mjetet e reja do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve operacionale të Forcave të Armatosura.
“Sot është një ditë krenarie për industrinë e mbrojtjes së Shqipërisë. Këto 40 mjete taktike janë një kontribut i qartë në forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura. Shqipëria po ndërton aftësinë për të zhvilluar kapacitetet vendase në fushën e mbrojtjes dhe jemi krenarë për cilësinë e mjeteve që dorëzohen, të cilat janë të teknologjisë më të fundit”, deklaroi Nufi.
Sipas ministrit, objektivi i qeverisë është ndërtimi i një industrie moderne të mbrojtjes, e aftë të përmbushë nevojat e institucioneve shqiptare, angazhimet në NATO dhe të integrohet në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Nufi e cilësoi këtë zhvillim një investim strategjik për të ardhmen e vendit, ndërsa bëri të ditur se deri në fund të vitit pritet të dorëzohen edhe 40 deri në 50 automjete të tjera taktike për Forcat e Armatosura.


