Rama: Ushtria do të krijojë kompani infrastrukture në shërbim të bashkive

31 Jul 2026 13:56
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Forcat e Armatosura do të krijojnë një kompani infrastrukture, e cila do të jetë në shërbim të bashkive për mirëmbajtjen e rrugëve rurale, kanaleve dhe ndërhyrjet në raste emergjencash.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s, Rama tha se vendi ka hyrë në një fazë të re, ku nuk është më vetëm përdorues i teknologjisë së mbrojtjes, por edhe zhvillues i kapaciteteve të veta.

Kryeministri bëri të ditur se baza e re logjistike e ushtrisë do të shërbejë jo vetëm për nevojat e mbrojtjes, por edhe për pushtetin vendor.

Reklamë Ola

“Kompania e infrastrukturës do të bëjë mirëmbajtje dhe ndërhyrje që lidhen me kanalet, rrugët rurale dhe infrastrukturën tjetër. Do të jetë në funksion të emergjencave, ndërsa kur nuk do të ketë emergjenca, do të jetë në shërbim të bashkive”, u shpreh Rama.

Ai njoftoi gjithashtu hapjen e Ministrisë së Mbrojtjes për projekte në fushën e turizmit, duke theksuar se ky model partneriteti përdoret edhe nga vendet e tjera të NATO-s dhe do të krijojë të ardhura që do të riinvestohen në funksion të qytetarëve dhe Forcave të Armatosura.

Reklamë InterMedika

Në përfundim, Rama e cilësoi nisjen e prodhimit të mjeteve taktike në vend si një moment historik për industrinë ushtarake shqiptare.