Von der Leyen: Pamjet nga Ceuta janë të papranueshme

31 Jul 2026 16:15
Shpërndaje:

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i ka cilësuar “të papranueshme” pamjet nga enklava spanjolle e Ceutës, ku dhjetëra mijëra emigrantë hynë brenda një dite, duke theksuar se kalime të tilla nuk mund të lejohen jashtë rregullave të Bashkimit Europian.

Sipas “Financial Times”, Von der Leyen kërkoi ndalimin e menjëhershëm të kalimeve të rrezikshme, goditjen e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe zbatimin e shpejtë të procedurave për kthimin e emigrantëve, në përputhje me legjislacionin europian.

Presidentja e Komisionit Europian bëri të ditur se ka ngarkuar komisionerin për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, dhe komisioneren për Mesdheun, Dubravka Šuica, të mbështesin autoritetet spanjolle në menaxhimin e situatës, përfshirë përmes Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex.

Reklamë Ola

Von der Leyen vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Marokun, duke theksuar se komisionerja Šuica është në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet marokene për koordinimin e përgjigjes ndaj krizës.

“Jam e bindur se partneriteti ynë i ngushtë me Marokun do të ndihmojë në arritjen e rezultateve konkrete”, deklaroi Von der Leyen.

Reklamë InterMedika

Qëndrimi i saj është në të njëjtën linjë me atë të qeverisë spanjolle, e cila ka vlerësuar bashkëpunimin e autoriteteve marokene në përpjekjet për menaxhimin e krizës migratore në Ceuta.