Hoxha reagon pas deklaratave të Spajiç: Asnjë akuzë zyrtare ndaj Shqipërisë, nuk jemi pjesë e skenarëve destabilizues

29 Aug 2026 00:04
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në veprimtari të koordinuara hibride.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha bëri thirrje për maturi në interpretimin e deklaratave, duke theksuar se deri në këtë moment nuk është formuluar asnjë akuzë zyrtare ndaj Shqipërisë.

“Një sqarim përpara se të bëhemi pjesë e zhurmës apo të ndezim zjarre të panevojshëm, që duan shumë më tepër kohë për t’u shuar. Kam parë deklaratën e Kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga ‘të paktën dy vende të rajonit’ në veprimtari të koordinuara hibride. Kam parë gjithashtu interpretimet dhe aludimet e ndryshme mediatike që kanë pasuar”, shkruan Hoxha.

Reklamë Ola

Sipas ministrit, raportimet e mediave janë pjesë e debatit publik dhe duhen analizuar me vëmendje, por njëkohësisht duhet të trajtohen me rezervë, veçanërisht kur përmbajnë interpretime të ndryshme ose kontradiktore.

Hoxha theksoi se, pavarësisht aludimeve të ngritura pas deklaratave të kryeministrit malazez, Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari që synon destabilizimin e Malit të Zi apo të ndonjë vendi tjetër.

Reklamë InterMedika

“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, deklaroi ai.

Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se politika e ndjekur nga Tirana është e kundërt me çdo skenar destabilizues, pasi Shqipëria, sipas tij, ka investuar vazhdimisht në forcimin e bashkëpunimit dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria dallon sepse bën pikërisht të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë europian e euroatlantik”, u shpreh Hoxha.

Ministri kërkoi gjithashtu që interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike në Malin e Zi të mos shndërrohen në burim tensionesh artificiale mes dy vendeve.

“Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona”, shkruan ai.

Hoxha bëri të ditur se autoritetet shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me palën malazeze dhe se edhe për çështjen e fundit ai ka zhvilluar kontakte me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, si dhe me zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj.

Në fund të reagimit, ministri u bëri thirrje edhe aktorëve politikë në Shqipëri që të kërkojnë informacion pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme përpara se çështje të tilla të kthehen në objekt të përplasjeve të brendshme politike.

“Aktorët e ndryshëm, përfshirë ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga MEPJ çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debate të panevojshme dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar që politika e jashtme e vendit të kthehet në objekt apo instrument të debateve dhe qasjeve partiake të brendshme. Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, përfundoi Hoxha.