Presidenti Bajram Begaj priti sot ambasadoren e Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, Olga Cogen, e cila i paraqiti Letrat Kredenciale.
Kreu i Shtetit vlerësoi veçanërisht vendimin e Belgjikës për të hapur për herë të parë ambasadën e saj me seli në Tiranë, duke e konsideruar një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Gjatë takimit u riafirmua angazhimi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, bazuar në vlerat e përbashkëta evropiane, dialogun politik dhe partneritetin në NATO dhe organizatat ndërkombëtare.
Begaj falënderoi gjithashtu Belgjikën për mbështetjen ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke ritheksuar se anëtarësimi në BE mbetet prioritet për vendin.
Presidenti e siguroi ambasadoren Cogen për mbështetjen e institucioneve shqiptare gjatë ushtrimit të misionit të saj diplomatik në Shqipëri.


