Shqipëria është zgjedhur anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për mandatin 2026–2030, duke siguruar 73 vota në favor dhe fituar besimin e komunitetit ndërkombëtar për të marrë pjesë në një nga forumet më të rëndësishme globale në këtë fushë.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi zgjedhjen si një moment krenarie për vendin dhe një vlerësim të punës së bërë ndër vite në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale.
“Ky është një moment krenarie për Shqipërinë dhe një vlerësim i punës së institucioneve tona, ekspertëve, komuniteteve bartëse të trashëgimisë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e pasurisë tonë shpirtërore”, u shpreh Rama.
Kryeministri falënderoi shtetet që mbështetën kandidaturën shqiptare dhe theksoi se mandati katërvjeçar përbën një përgjegjësi të rëndësishme për vendin.
“Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjitha shtetet që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë dhe na besuan këtë mandat katërvjeçar. Ky besim është një përgjegjësi e madhe, të cilën do ta ushtrojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, si anëtare e Komitetit Ndërqeveritar, Shqipëria do të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen, promovimin dhe forcimin e parimeve të Konventës së UNESCO-s të vitit 2003 për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale.
Zgjedhja në këtë strukturë i jep Shqipërisë një rol më të madh në proceset ndërkombëtare të vendimmarrjes për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale në nivel global.


