Plani i ri 2026–2030 synon mbështetje për 100 mijë fëmijë në nevojë në Shqipëri

03 Aug 2026 10:49
Shpërndaje:

Rreth 100 mijë fëmijë që përballen me varfëri, përjashtim social ose vulnerabilitete komplekse pritet të përfitojnë nga masat e parashikuara në Planin e Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët 2026–2030. Dokumenti synon të forcojë mbrojtjen sociale, aksesin në shërbimet shëndetësore dhe arsimin gjithëpërfshirës, duke garantuar mundësi më të barabarta për zhvillimin e fëmijëve në të gjithë vendin.

Plani u prezantua në një takim me përfaqësues të institucioneve shtetërore, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile, ku u diskutuan prioritetet dhe masat konkrete që do të zbatohen gjatë pesë viteve të ardhshme.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cilësoi planin një angazhim të rëndësishëm për mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve që kanë më shumë nevojë, duke theksuar se sfida kryesore mbetet zbatimi efektiv i politikave të miratuara.

Reklamë Ola

“Sfida jonë sot, dhe angazhimi im personal si ministre, është që çdo politikë e mirë në letër të zbatohet me sukses, në mënyrë që çdo reformë, çdo shërbim dhe çdo investim i parashikuar në këtë plan të përkthehet në ndryshim real në jetën e fëmijëve dhe familjeve tona”, u shpreh Sala.

Sipas saj, plani ndërtohet mbi reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit për forcimin e sistemit të mbrojtjes sociale dhe mbështetjes për familjet. Ai parashikon fuqizimin e skemës së ndihmës ekonomike, zgjerimin e shërbimeve të kujdesit në fëmijërinë e hershme, zhvillimin e kujdesit familjar dhe komunitar, promovimin e arsimit gjithëpërfshirës, si dhe integrimin më të mirë të shërbimeve shëndetësore dhe sociale.

Reklamë InterMedika

Një nga masat konkrete të planit është dyfishimi i mbështetjes financiare për rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara. Paralelisht, do të njihen edhe kontributet e sigurimeve shoqërore për kujdestarët e tyre, një masë që synon të rrisë mbështetjen sociale për familjet që kujdesen për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ministrja theksoi se Garancia Evropiane për Fëmijët nuk duhet parë vetëm si një detyrim që lidhet me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, por si një përgjegjësi për të garantuar që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta, pavarësisht kushteve sociale apo ekonomike.

Mbështetje për planin shprehu edhe drejtori rajonal i UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, i cili përgëzoi Shqipërinë për rolin e saj në rajon në hartimin dhe zbatimin e këtij dokumenti strategjik.

Ai vlerësoi se plani është ndërtuar mbi analiza të bazuara në prova, konsultime të gjera dhe koordinim ndërinstitucional, duke e cilësuar atë një investim të rëndësishëm për të luftuar varfërinë e fëmijëve dhe për të nxitur përfshirjen sociale.

“Ky investim i rëndësishëm dhe angazhimi i qartë i pasqyruar në plan dëshmojnë vendosmërinë e Shqipërisë për të adresuar varfërinë e fëmijëve, për të promovuar përfshirjen sociale dhe për të investuar në brezat e ardhshëm”, deklaroi Beigbeder.

Edhe Bashkimi Evropian e konsideron Garancinë Evropiane për Fëmijët një nga instrumentet kryesore për luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Miha Pezelj, tha se kjo nismë, e miratuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2021, synon të garantojë për fëmijët në nevojë akses efektiv dhe falas në shërbimet bazë, si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale.

“Në Bashkimin Evropian, Garancia Evropiane për Fëmijët konsiderohet si një nga përgjigjet më të rëndësishme ndaj sfidës së varfërisë dhe përjashtimit social. Qëllimi është të garantohet që çdo fëmijë në nevojë të ketë akses në shërbimet thelbësore”, u shpreh Pezelj.

Plani i Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët 2026–2030 do të shërbejë si dokumenti kryesor që do të udhëheqë ndërhyrjet ndërinstitucionale gjatë pesë viteve të ardhshme, duke forcuar bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile, me synimin që çdo fëmijë në Shqipëri të ketë akses në shërbime cilësore dhe mundësi të barabarta për zhvillim.