Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 22 të tjerë janë plagosur pas një sulmi masiv rus me raketa balistike dhe dronë ndaj Kievit dhe rajoneve përreth gjatë natës së të mërkurës. Sipas autoriteteve ukrainase, ky është një nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj kryeqytetit ukrainas që nga fillimi i këtij viti.
Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, bëri të ditur se sulmet nisën menjëherë pas mesnatës, ndërsa alarmet ajrore mbetën aktive për më shumë se një orë. Raketat goditën disa zona të kryeqytetit dhe periferive të tij, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa banimi, depo dhe objekte të tjera civile.
Sipas autoriteteve lokale, nëntë persona humbën jetën në distriktin Boryspil, katër në Bucha dhe një tjetër në Fastiv. Ekipet e emergjencës vazhduan operacionet e kërkim-shpëtimit gjatë gjithë ditës, ndërsa kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi se mund të ketë ende persona të bllokuar nën rrënoja.
Klitschko bëri të ditur gjithashtu se katër prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin trajtim në spitalet e kryeqytetit.
Administrata ushtarake e Kievit akuzoi Rusinë për sulme të qëllimshme ndaj zonave civile dhe infrastrukturës, duke i cilësuar bombardimet si një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivat e sulmit ishin qendra logjistike dhe magazina që, sipas saj, përdoren për furnizimin me armë të forcave ukrainase në Kiev dhe rajonin përreth. Moska njoftoi gjithashtu se kishte goditur tre anije mallrash pranë portit të Odesës, duke pretenduar se ato transportonin pajisje ushtarake.
Pas sulmit, autoritetet ukrainase përsëritën thirrjen ndaj partnerëve perëndimorë për të rritur furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore, veçanërisht raketat interceptuese Patriot të prodhuara në Shtetet e Bashkuara. Sipas Kievit, forcimi i mbrojtjes ajrore mbetet jetik për të përballuar intensifikimin e sulmeve me raketa balistike dhe dronë nga Rusia.


