Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.
Plani synon forcimin e parandalimit, zgjerimin e testimit dhe diagnostikimit të hershëm, përmirësimin gradual të aksesit në trajtim dhe afrimin e shërbimeve shëndetësore pranë qytetarëve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, qendrat e specializuara do të vijojnë të kenë rol kyç, ndërsa paralelisht do të forcohen shërbimet rajonale, kujdesi parësor dhe kapacitetet diagnostikuese. Një nga objektivat kryesorë është zgjerimi progresiv i kritereve të trajtimit, në mënyrë që kujdesi të mos kufizohet vetëm te rastet e avancuara të sëmundjes.
Plani është hartuar në bashkëpunim me institucionet shqiptare, ekspertët kombëtarë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke u bazuar në prova shkencore, standardet e OBSH-së dhe strategjitë evropiane për shërbime shëndetësore më të aksesueshme dhe më të barabarta.
Ministria thekson se hepatitet virale janë ndër shkaqet kryesore të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, ndaj lufta kundër tyre është pjesë e rëndësishme e strategjisë për parandalimin e kancerit.
Objektivi i planit është ulja e numrit të infeksioneve të reja, rritja e diagnozave dhe trajtimeve në kohë, si dhe reduktimi i rasteve me cirrozë dhe kancer të mëlçisë, përmes një sistemi shëndetësor më modern dhe më pranë qytetarëve.


