BE-ja propozon kompromis për tarifat universitare në Britani

02 Aug 2026 15:29
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian është i gatshëm të ofrojë një kompromis për çështjen e tarifave universitare të studentëve europianë në Mbretërinë e Bashkuar, një nga pengesat kryesore që po vonon marrëveshjen për rivendosjen e marrëdhënieve mes Londrës dhe Brukselit pas Brexit.

Sipas POLITICO, Komisioni Evropian po shqyrton një formulë të re, sipas së cilës studentët nga vendet e BE-së nuk do të paguanin më tarifat e plota të studentëve ndërkombëtarë, por as tarifat e subvencionuara që paguajnë studentët britanikë. Ata do të paguanin një tarifë të ndërmjetme, e cila do të mbulonte kostot e universiteteve pa u siguruar atyre fitimin që aktualisht vjen nga studentët ndërkombëtarë.

Çështja e tarifave është bërë një nga pikat më të debatueshme në negociata. Para Brexit, studentët e Bashkimit Evropian paguanin të njëjtat tarifa si studentët britanikë. Pas daljes së Britanisë nga BE-ja, ata trajtohen si studentë ndërkombëtarë, me tarifa që për disa programe universitare arrijnë deri në 60 mijë paund në vit.

Reklamë Ola

Qeveria britanike ka refuzuar deri tani kërkesën e Brukselit për rikthimin e tarifave vendase, pasi universitetet argumentojnë se të ardhurat nga studentët ndërkombëtarë janë thelbësore për balancimin e financave të tyre. Sipas Russell Group, ndryshimi do t’i kushtonte universiteteve rreth 580 milionë paund.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian këmbëngul se kjo çështje duhet të zgjidhet si pjesë e skemës së re të lëvizjes së të rinjve mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Brukseli ka bërë të qartë se nuk dëshiron të mbyllë negociatat për temat e tjera pa një marrëveshje edhe për tarifat universitare.

Reklamë InterMedika

Paketa e negociatave përfshin gjithashtu një marrëveshje për lehtësimin e tregtisë së produkteve agro-ushqimore, bashkëpunimin në tregun e emetimeve të karbonit dhe një skemë të re që do ta bënte më të lehtë lëvizjen e të rinjve për studime dhe punë.

Samiti ku pritej të finalizoheshin marrëveshjet u shty pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Keir Starmer. Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, ka deklaruar se forcimi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian mbetet një prioritet, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët synojnë që samiti të zhvillohet gjatë muajve tetor ose nëntor.

Ndërkohë, ministri i ri britanik për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Hamish Falconer, ka nisur kontaktet me Komisionin Evropian për të rifilluar bisedimet dhe për të çuar përpara marrëveshjen e re mes Londrës dhe Brukselit.